Të nderuar kolegë që na nderoni me praninë tuaj sot në këtë takim,
Të nderuar miq e të ftuar,
Teksa jemi sot në Pogradec, natyrshëm më vjen që të ndaj me ju dy vargje të poetit tonë të madh lirik:
“Valë e urtë i shtrohet anës,/dalngadal e fashë-fashë,/ që prej zallit të përbujshëm,/nisen lundrat lavarashe”.
Ky është poeti Lasgush Poradeci, që si askush tjetër ka ditur të njohë “Zemrën e liqerit”.
Ndërsa bashkëqytetari i tij i shquar, Mitrush Kuteli nuk reshtëte së mahnituri prej fytyrave të liqerit, që ai me qesëndi shprehet se i ngjajnë humorit të një gruaje.
Pikërisht kjo mahnitje dhe dëshira për ta ndarë me të tjerë magjinë, që ofron ky liqen dhe gjithë zona përreth tij, na ka mbledhur këtu sot.
Lajmi i datës 5 korrik, kur Komiteti i Trashëgimisë Botërore, vendosi që pjesa shqiptare e këtij rajoni të integrohej në Listën e Trashëgimisë Botërore, duke iu bashkuar tanimë edhe “ligjërisht”, pjesës së saj natyrale, që e ka marrë këtë status shumë vite më parë, na gëzoi pa masë.
Kolegët tanë nga Maqedonia e Veriut na kanë paraprirë 4 dekada më parë, duke integruar pjesën e tyre nën mbrojtjen e UNESCO-s, megjithatë nuk është asnjëherë vonë, që të gjithë së bashku të tregojmë se ky ishte vendimi i duhur dhe se kjo hapësirë mbart një pasuri të jashtëzakonshme natyrore, kulturore, shpirtërore.
Jemi shumë pranë Linit, ku ndodhet një nga monumentet më të rëndësishëm në Shqipëri.
Dikur, pelegrinët merrnin rrugën e vinin nga të gjitha anët për të gjetur ekuilibrin shpirtëror në Bazilikën e Linit. Mes së kaltrës së liqenit dhe shumëngjyrësisë së mozaikëve të rrallë floreale, me shumë gjasë ata ndjenin më pranë paqen e Zotit.
Sot, jemi me fat që kjo pasuri e së shkuarës, që daton rreth shek. 5-6, ka ardhur deri në ditët tona, ç’ka na bën edhe më përgjegjës që ajo t’u përcillet brezave.
Ashtu si duhet t’u përcjellim brezave dhe t’u dëshmojmë turistëve të huaj për potencialet që ka kjo hapësirë, traditat që ka ky vend i mrekullueshëm, që ka lindur Lasgushin dhe Kutelin, kulturën, kulinarinë, mikpritjen dhe të gjitha ato “thesare të fshehura”, të cilat kanë nevojë të ridalin në dritë me gjithë bukurinë e tyre.
-Vendimi i 5 korrikut na bën krenarë, edhe për arsyen se tanimë, një vend i vogël në sipërfaqe, si Shqipëria ka në UNESCO: Butrintin, Gjirokastrën, Beratin, Pyjet e Ahut të Gashit dhe Rajcës, Rajonin e Ohrit;
Janë të përfshira në listën e Memories Botërore: Kodikët e purpurt të Beratit;
Pa lënë mënjanë edhe element të pasurisë shpirtërore si Isopolifonia.
Të tjera dosje po përgatiten dhe të tjera monumente të trashëgimisë materiale e jomateriale, meritojnë të jenë pjesë e kësaj liste.
Vendimi në sesionin e radhës të Komitetit të Trashëgimisë Botërore ishte rezultat i një përpjekjeje disavjeçare e grupit të punës, i përbërë nga ekspertë të disa institucioneve, që u kurorëzua me sukses.
Gjej rastin t’i falenderoj për punën e palodhur dhe mbrojtjen këmbëngulëse që i bënë dosjes së Ohrit.
Ndërkaq, të tjera sfida na presin:
–Në vendimin e shpalljes, Komiteti i Trashëgimisë Botërore ka dhënë edhe disa rekomandime, për përmbushjen e të cilave Shqipëria duhet të hartojë dhe implementojë një plan veprimi të dedikuar me afate kohore, institucione përgjegjëse dhe krijimin e një strukture menaxhimi gjithëpërfshirëse me përfaqësues të niveleve politike dhe teknike, në linjë me autoritetet maqedonase.
Gjatë sesionit të 43-të që u mbajt në Baku, Azerbaixhan, delegacioni shqiptar i kryesuar nga z. Ferit Hoxha zhvilloi takime pune, mbi agjendën e misionit të përbashkët të ICOMOS/IUCN, për vlerësimin e gjendjes dhe i ecurisë së zbatimit të rekomandimeve nga shteti palë; si dhe mbi mundësinë e vijimit të fazës së dytë të projektit “Drejt një qeverisjeje të përbashkët të trashëgimisë natyrore dhe kulturore ndërkufitare të rajonit të Liqenit të Ohrit”.
-Por edhe përpara se të merrej vendimi, së bashku me palën maqedone ne kemi filluar punën e përbashkët.
Dy qeverië nënshkruan në muajin prill një marrëveshje për ngritjen e Qendrave Kulturore dhe Informative në Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Këto qendra i shërbejnë promovimit të kulturës dhe gjuhës së dy vendeve, përmes aktiviteteve: ekspozita, shfaqje filmash, botime, konferenca shkencore, etj.
Së bashku me Ministrinë e Financave po punojmë për nxjerrjen e kostove dhe efekteve financiare për ngritjen e këtyre qendrave.
Duke përmbushur këto rekomandime dhe duke e konsideruar tanimë këtë hapësirë, jo vetëm si pasuri tonën, por të të gjithë njerëzimit, do t’i rikthejmë sërish pelegrinët drejt Bazilikës së Linit dhe gjithë zonës përreth, por ndoshta do t’ua prishim disi qetësinë Kutelit e Poradecit në dialogun e tyre të përjetshëm me liqerin, sepse edhe ata nuk i takojnë më vetes.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.