"Kukullat" dhe artistët e vegjël të QKKF në turneun veror - Ministria e Kulturës
Postuar më: 04/07/2014

“Kukullat” dhe artistët e vegjël të QKKF në turneun veror

Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë dhe Teatri i Kukullave, në kuadër të kalendarit artistik 2014,  ka nisur turneun veror me një sërë aktivitetesh kulturore në zona turistike të Shqipërisë.

Turneu po jepet me sukses në qytetet Durrës, Velipojë, Shëngjin e shumë të tjera mes publikut të mrekullueshëm të fëmijëve vendas e të ardhur, të cilët ndjekin programin artistik me numra të përgatitur. Premiera e re e Teatrit të Kukullave, “Princesha mbi bizele” dhe pjesa teatrale “Arushi që nuk donte muzikë” sjellin një komunikim të drejtpërdrejtë me spektatorin e vogël, duke zhvilluar imagjinatën dhe fantazinë e fëmijëve.

Fëmijët e qendrës, në një program me këngë, valle dhe breakdance janë mirëpritur me duartrokitje e vlerësime nga publiku. Kjo lëvizje artistike e trupës së aktorëve të Teatrit të Kukullave dhe fëmijëve të qendrës drejt qyteteve të tjera synon krijimin e një tradite të përvitshme, e cila ndërthur edukimin artistik përmes artit, si dhe njohjen dhe zbulimin e vlerave kulturore të perlave turistike në të gjithë Shqipërinë.