Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, Teatri i Kukullave hapi kalendarin kulturor Shqipëri – Kosovë. Kjo nismë, mes dy Ministrive respektive të Shqipërisë dhe Kosovës, e nëshkruar në Tiranë, në datën 13 shkurt 2013, përkoi me 6 – vjetorin e Pavarësisë së Kosovës . Më 17 shkurt në Shtëpinë e Kulturës në Prizren u shfaq premiera e shfaqjes ”Princesha Teutë” e realizuar nga trupa e Teatrit të Kukullave.
”Princesha Teutë” me publikun e mrekullueshëm të fëmijëve të Prizrenit i njohu fëmijët me traditën, kulturën, muzikën, veshjet tona popullore, komunikoi me publikun e vogël duke rrëfyer përmes fjalës, muzikës dhe teknikës së kukullës, një temë të rëndësishme si fjala e dhënë (besa). Kjo shfaqje na afron bukur historinë, në një ndërthurrje artistike mes muzikës sonë popullore e qytetare, valleve e kostumeve shumëngjyrëshe. Figurat përfaqësuese të historisë e kulturës së përbashkët bashkuan dhe përqafuan fëmijët në ditën e festës së Pavarësisë.
“Princesha Teutë”, një shfaqje e cila na afron me historinë, kulturën dhe artin, sepse kultura është një urë që lidh njerëzit, transmeton kulturë dhe edukon fëmijët përmes artit.
Shfaqja mori shumë duartrokitje nga publiku artdashës i fëmijëve, por edhe i të rriturve, si dhe vlerësime nga organizatorët e aktivitetit, të cilët ishin të hapur ndaj bashkëpunimeve të mundshme në vazhdim midis dy qendrave kulturore.
Ky aktivitet ngjalli edhe interesin e medias së qytetit të Prizrenit. Shumë shpejt Qendra Kombëtare e Fëmijëve do të jenë të pranishëm sërish në qytetin e Prizrenit me dy shfaqje të tjera për të përmbushur kërkesat e fëmijëve për aktivitete artistike të këtij formati.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.