Mbërrin në Tiranë shfaqja “Shooping&Fucking”. Me 15 shfaqje në Prishtinë, teksti i Mark Ravenhill ka komunikuar shqip edhe me publikun e Beogradit në festivalin “Mirdita, Dobar dan”. Pesë aktorë janë bashkuar për të sjellë historinë e çuditshme të shfaqjes “Shopping and Fucking”, një shpërfaqje e fateve njerëzore ku hyn tradhtia, seksi, droga, rinia, degjenerimi, psikoza individuale dhe kolektive, fija e hollës mes çmendurisë dhe të mahnitshmes.
Shfaqja paraqet një luftë të madhe për mbijetesë të pafund. Motoja se “Na kena me kanë mirë” është moto e thënë njëzëri vetëm sa e sforcon këtë luftë për mbijetesë, ku të gjitha karakteret sikur duan ta bindin veten për ditë më të mira. Lufta për mbijetesë paraqitet qysh në aktin e parë ku fillimisht shpërfaqet si luftë për ushqimin; gjënë me thelbësore dhe elementare në kontekst të njerëzores, duke u shtresuar pastaj edhe në nivelin global e filozofik të ekzistencës.
“Shfaqja është një analizë e konsumizmit që ka kapur secilin, ose edhe për kapitalizmin liberal si një problem që paraqitet me treshen tonë e cila lufton me çdo forcë për para. Dukuritë si homofobia janë të pranishme në shoqëritë ballkanase dhe në njëfarë mënyrë shfaqja vetëm përballet me publikun në këtë kontekst. Mbi të gjitha, shfaqja jonë është një hapje e debatit mbi tema sociale. Teatri nuk e ka vetëm aspektin e kënaqësisë e zbavitjes, por edhe vetëdijësimin dhe mobilizimin” pohon regjisori.
Shfaqja është mbështetur nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë.
Realizuesit e shfaqjes kujtojnë se nuk lejohet hyrja për moshën nën 18 vjeç.
Autori: Mark Ravenhill; Regjia : Fatos Berisha; Interpretojnë aktorët: Luan Jaha, Arta Selimi, Florist Bajgora, Armend Ismajli dhe Tristan Halila.
TK, 26 qershor, ora 20:00. Për të rezervuar telefononi: 04 222 3022.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.