Shpallen tre fituesit e Fondit të krijimtarisë për të rinj
Ministrja e Kulturës, Elva Margariti mori pjesë në ceremoninë e shpalljes së fituesve të Fondit të krijimtarisë për të rinj, në Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Veprat kandidate i përkisnin gjinive të ndryshme letrare, çka u pasqyrua edhe te ato fituese, të cilat i përkisnin gjinive: poezi, dramë dhe prozë e shkurtër.
Juria, kryesuar nga dramaturgu Stefan Çapaliku dhe gazetarja Arta Marku, mes 16 kandidatëve zgjodhën 3 fitues:
Nurie Emrullai
me librin poetik “Lëre dashurinë të vijë si të dojë”, si autore e një poezie me theks të fortë bashkëkohor, të përpunuar mbi parime të kthjellëta estetike, spontane në figuracion dhe e struktuar qartë në narracionin e vet.
Dionis Prifti
me librin me tregime “Bar Sahara”, si autor i një tufë tregimesh, në të cilat realiteti nuk pasqyrohet, por interpretohet mbi parime surrealiste, me anën e një stili poetik dhe mjaft vetjak.
Ledian Gjeçi
me dramën “Pak pakt”, si autor i një vepre të mirërealizuar në të gjithë komponentët e saj: tematikë e mprehtë, ndërtim solid karakteresh, konflikt i thekshën dramatik.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.