RIKTHEHET PROJEKTI ‘TIRANA IN BETWEEN’ – 2014 – SHTËPIA E SHKRIMTAREVE DHE E PËRKTHYESVE LETRARË, ORGANIZUAR NGA POETEKA DHE MBËSHTETUR NGA TRADUKI DHE MINISTRIA E KULTURËS.
Autori përurues i Shtëpisë së Shkrimtarëve dhe Përkthyesve Letrarë në Tiranë për vitin 2014 është LUAN STAROVA. Ai do të qëndrojë në Shqipëri deri në mes të muajit qershor. Veprimtaritë që POETEKA do të organizojë rreth personalitetit dhe krijimtarisë së tij janë pjesë e programit TIRANA IN BETWEEN, mbështetur nga TRADUKI dhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë.
Krijimtaria, kontributi letrar dhe veprimtaria intelektuale e Luan Starovës (Pogradec 1941) i ka fillesat që në kohën e studimeve të tij për gjuhë dhe letërsi frënge (Shkup, Zabgreb), në përfundim të së cilave ai publikoi punimet shkencore me temë “Ballkani në prozën e Gijom Apolinerit” (1968) dhe më pas tezën doktorale “Vepra e Faik Konicës në gjuhën frënge dhe lidhjet e tij me Gijom Apolinerin” (1978).
Tekstet e para Luan Starova i botoi në vitet ’60 të shekullit XX, në fillim për gazetat “Mlad Borec” dhe “Flaka e vëllazërimit”. Publicistikën, udhëpërshkrimet, esetë, kritikat dhe studimet ai i botoi në librat “Afrime”, “Relacione”, “Miqtë”, “Barikadat e kohës”, “Njerëz dhe ura”., në të cilat vërehet karakteri multikulturor i qasjeve dhe hapja ndaj kulturës së tjetrit.
Një vit para se Luan Starova të shfaqej në prozën fiction u botua vëllimi poetik “Këngët e Kartagjenës” (1991, Prishtinë dhe Shkup – botim paralel.) Deri në vitin 1997 autori kishte krijuar bazën për sagën e tij ballkanike me botimin e 4 romaneve: “Librat e Babait” (1992), “Koha e dhive” (1993), “Çelësi ballkanik” (1995) dhe “Muzeu i ateizmit” (1997). Vitet në vijim, nga 1997 deri në vitin 2011 sollën për shkrimtarin Luan Starova plotësim të sagës me tituj të rinj, të tillë si: “Dheu i mbjellur”, “Udha e ngjalave”, “Kështjella prej hiri”, “Erveheja – libri për një nënë”, “Dashuria e gjeneralit”, “Ambasadat”, “Ambasadat e reja”, pas të cilëve ai do e forconte truallin e tij letrar me romanet e radhës: “Ballkan babel”, “Jeniçerët”, “Polifonistët”, “Kthimi i dhive”.
Aktualisht Luan Starova ligjëron në Universitetin e Evropës Juglindore të Tetovës dhe është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë dhe të Akademisë Mesdhetare në Napoli. Disa nga veprat e tij ende nuk janë botuar në shqip. Pas botimit të katër romaneve të para në frëngjisht: tre nga “Fayard” në Paris ( “Librat e Babait”, “Koha e dhive” dhe “Muzeu i ateizmit” ) dhe një prej “Les Editions de l’Aube” ( “Bregu i egzilit” ) dhe pas jehonës që i bëri kritika, disa nga romanet e tij u përkthyen në 14 gjuhë të ndryshme. Renditet ndër shkrimtarët shqiptarë më të përkthyer në botë. Është fitues i çmimit më të lartë francez për artet dhe letërsinë.
LISTA E SHKRIMTARËVE TË PËRZGJEDHUR MES 43 KANDIDATURASH
1. Luan Starova, Maqedoni, 15 MAJ – 15 QERSHOR 2014
2. Barbara Pogačnik, Sloveni, 15 QERSHOR – 15 KORRIK 2014
3. Srdjan Srdic, Serbi, 15 KORRIK – 15 GUSHT 2014
4. Robert Perišić, Kroaci, 15 SHTATOR – 15 TETOR 2014
5. Olya Stoyanova, Bulgari, 15 TETOR – 15 NENTOR 2014
6. Jovan Nikolaidis, Mal i Zi, 15 NENTOR -15 DHJETOR
Ndërlidhje:
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.