Vizitë në Varshavë, Poloni. - Ministria e Kulturës
Postuar më: 06/02/2020

Vizitë në Varshavë, Poloni.

Të nderuar të pranishëm,

 

Si sot, 31 vjet më parë, në Poloni nisën negociatat mes qeverisë komuniste dhe opozitës. Ishte atëherë kur lideri i opozitës, asokohe, Lech Ëałęsa do të shprehej: Jam i përgatitur të flas edhe me Djallin, për të mirën e Polonisë.

Dy vjet më vonë, në 20 shkurt 1991, në Tiranë, njerëzit e lodhur nga regjimi i gjatë komunist rrëzuan monumentin gjigant të Enver Hoxhës. Bashkë me të rrëzuan edhe një sistem, që i mbajti të shtypur shqiptarët për 45 vjet me radhë. I izoloi, u mohoi të drejtat themelore, si ato të fjalës dhe lëvizjes së lirë; i përçau përmes “luftës së klasave” dhe implementoi projektin denatyrues të “Njeriut të Ri”.

Gjatë viteve të para, pas rënies së diktaturës, ajo çka u vu re ishte mohimi.

Njerëzit nuk donin të flisnin për të shkuarën, madje ekzistonte një dëshirë e brendshme për të shkatërruar gjithçka që i takonte së shkuarës dhe për të parë përpara.

Por, sot, 30 vjet pas rënies së diktaturës, shqiptarët janë të ndërgjegjësuar se pa të shkuar nuk mund të ketë të ardhme.

Edhe kur ajo është e dhimbshme, si ajo që ka kaluar Shqipëria, e shkuara shërben për të na kujtur gjithmonë e gjithmonë, se ajo nuk duhet të përsëritet më.

Dhe kjo kujtesë i shërben më së shumti brezit të ri, në mënyrë që ata jo vetëm të njohin historinë e prindërve të tyre, sakrificat që ata kanë bërë për fjalën e lirë, por edhe pasojat e mungesës së lirisë.

Por kujtesa ka nevojë të ushqehet. Nuk mjafton që të flasim mes tonë, të rrëfejmë histori, por edhe të ndërmarrim nisma konkrete.

Kujtesa është një institucion.

Në këtë drejtim qeveria shqiptare ka ndërmarrë programe, që lidhen pikërisht me evidentimin e kësaj kujtese, duke folur për të jo me venerim, por me objektivitet.

Një prej këtyre programeve është edhe ai “Rrugët e kujtesës”, që ka për synim të ruajë shenja, të mos lejojë që ato të fshihen prej kohës apo nevojës për të harruar.

Sepse kujtesa dhemb.

Janë hedhur hapa të rëndësishëm, mes të cilëve do veçoja ngritjen e një prej muzeve më të rinj dhe më tërheqës në Shqipëri, Muzeu Kombëtar i Përgjimeve, “Shtëpia me gjethe”, që tregon mënyrën se si survejoheshin dhe përndiqeshin shqiptarët. Një vend i vogël dhe i varfër si Shqipëria shpenzonte për aparatura të avancuara për kohën, përgjues, te cilët instaloheshin në vende nga më të çuditshmet… Duke vizituar “Shtëpinë me gjethe” kupton filozofinë e regjimit komunist, atë të injektimit të frikës. Ndërtesa ku ngrihet ky muze ishte ngritur në kohën e Mbretit Zog si një klinikë mjekësore, një vend ku shpëtohen jetë dhe përfundoi si një mjet për të shuar jetën.

Të gjitha këto e kanë bërë Muzeun e Përgjimeve, një ndër më të vizituarit në vendin tonë dhe calë përkushtimit të një stafi shumë të vogël në numër, “Shtëpia me gjethe” meritoi The Council of Europe Museum Prize. (Çmim të cilin do ta tërheqë në 21 prill 2020 në Strasburg).

Ndërkohë një tjetër sfidë kemi nisur, atë të kthimit në Qendër Muzeore të Ish-Burgut të Spaçit, një nga vendet më të tmerrshme të vuajtjes së dënimit, ku kanë kanë kaluar vitet e burgimit shumë intelektualë e klerikë, si At Zef Pllumi, Visar Zhiti, Maks Velo, Fatos Lubonja etj.

Në bashkëpunim me Culture Heritage Without Borders, Ministria e Kulturës ka hedhur disa hapa për ta kthyer këtë rreth të “Ferrit Dantesk” mbi tokë, në një muze të kujtesës.

Burgu i Spaçit është shpallur Monument Kulture i kategorisë së II, në vitin 2007. Në vitin 2017, për shkak të gjendjes së degraduar të ndërtesave, u krye një ndërhyrje emergjente për stabilizimin e godinave të burgut të Spaçit, për parandalimin e degradimit të mëtejshëm të strukturave të këtij kompleksi.

Ndërkaq, po punohet për kthimin e kësaj hapësire në një vend kujtese e dialogu.

Kthimi në një vend memorjeje i ish-Kampit shfarosës të Tepelenës, ku kanë humbur jetën rreth 300 fëmijë dhe me të drejtë e kanë krahasuar me kampet shfarosëse të nazizmit, është një tjetër projekt. Nga kampi që ka funksionuar në vitet 1949-1954 kanë mbetur veçse disa ngrehina të zhveshura, po ku duket sikur ende hyjnë e dalin shpirtrat e të gjithë atyre që himbën jetën aty. Ato mure kanë shumë për të thënë.

Në vitin 2018 Instituti i Monumenteve tё Kulturës vendosi shpalljen nё mbrojtje paraprake tё objektit “Ish-Kampi i Internimit tё Tepelenës”, ndërsa Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, në nëntor 2018, vendosi miratimin e projektit “Memoriali i Fëmijëve tё vdekur nё Kampin e Internimit Tepelenë”, me kërkesë tё Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit tё Shtetit.

Ndër nismat më të fundit është edhe ngritja e Muzeut të Hebrenjve në Vlorë, si shtëpia e komunitetit më të madh hebre të Shqipërisë në fund të viteve ’90, dhe Qendrës Kulturore Hebreje në Tiranë, si dëshmi jo vetëm te bashkëjetesës dhe pranimit të tjetrit, por të një historie prekëse, asaj të mbrojtjes dhe strehimit të hebrenjve gjatë Luftës së Dyte Botërore. Asnjë hebre nuk ra në duart e nazistëve, në Shqipëri. Për shqiptarët shtëpia është e Zotit dhe e mikut dhe ky kod nderi e bese qëndroi i pa lëkundur edhe në kohërat më të vështira të luftës.

Për ngritjen e Muzeut të Hebrenjve në Vlorë ka nisur faza kërkimore paraprake, e cila ka për subjekt ngritjen e një udhërrëfyesi për zhvillimin e projektit të muzeut nga koncepti tek implementimi; në realizimin e këtyre hapave është zhvilluar dhe një vizitë në Muzeun e Hebrenjve në Poloni, me qëllim zhvillimin e këtij projekti.

Më tepër se sa t’ju bëja me dije projektet e qeverisë shqiptare në fushën e Kujtesës, i përmenda këto projekte, si copëza pazëlli, për t’ju treguar se Shqipëria është një vend me shumë histori dhe me një kujtesë të gjallë, që duhet mbajtur e tillë, për t’jua përcjellë brezave të rinj dhe të qenurit pjesë e Rrjetit Europian të Kujtesës dhe Solidaritetit do të ndihmonte në këtë proces, në shkëmbimin e eksperiencave dhe pse jo lidhjen e historive të përbashkëta, zgjatjen e rrugëve të Kujtesës, ku Shqipëria shënon ca nyje, të cilat meritojnë të në vizohen e të njihen nga të gjithë.