21 Maji është shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e Deklaratës Universale të UNESCO-s mbi Diversitetin Kulturor si “Dita Ndërkombëtare e Diversitetit Kulturor”, ditë në të cilën festohet dhe reflektohet mbi vlerat e këtij diversiteti dhe të ‘të jetuarit së bashku”.
Ministria e Kulturës ka zgjedhur që këtë ditë t’ua kushtojë minoriteteve, kulturës dhe traditave të tyre.
Në kuadër të festimeve të kësaj dite, Drejtoria e Trashëgimisë Jomateriale dhe Rijetëzimit të Gjuhës Shqipe në këtë Ministri, do të organizojnë në sallën “Tefta Tashko Koco” në Ministrinë e Kulturës një aktivitet që do t’i kushtohet ruajtjes dhe mbrojtjes së trashëgimisë kulturore të minoriteteve.
Në këtë aktivitet do të prezantohet harta interaktive e realizuar nga Drejtoria e Trashëgimisë Jomateriale dhe konceptuar si një platformë dixhitale për pasqyrimin e larmisë së trashëgimisë kulturore jomateriale të minoriteteve dhe shqiptarëve përmes materialeve multimediale. Gjatë prezantimit, Drejtori Z. Shpend Bengu, i Drejtorisë së Trashëgimisë Jomateriale dhe Rijetëzimit të Gjuhës do të demonstrojë përpara të pranishmëve mënyrën e funksionimit të saj dhe pritshmëritë e Ministrisë së Kulturës për një bashkëpunim sa më të ngushtë e efikas me aktorët e interesuar me qëllim pasurimin e të dhënave të hedhura në hartë.
Aktiviteti ka si qëllim final evidentimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore jomateriale të minoriteteve, që përbën dhe një nga prioritetet e Ministrisë së Kulturës për këtë fushë.
21 Maj 2015, ora 10.00
Salla “Tefta Tashko Koco”, Ministria e Kulturës
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.