Prej datës 11 deri në 13 maj 2017 në qytetin e Vlorës zhvillohet edicioni i IX i Aulona Inter Folk Festival.
Starton në datën 11 maj, në skenën e sheshit “Pavarësia” në Skelë dhe mbyllet në 13 maj, ditë kur në qytet do të kulmojnë veprimtaritë e hapjes së sezonit turistik “ Vlora 2017”, organizuar nga Bashkia Vlorë.
Për 3 mbrëmje me radhë, në datat 11, 12, 13 maj 2017, Vlora do të jetë nën mbretërinë e folkut europian, duke përcjellë këngët dhe vallet folklorike që vijnë nga Çekia, Bullgaria, Bjellorusia, Sri Lanka, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Shqipëria.
Festivali organizohet nga Qendra Kulturore “ Aulona” Vlorë, me mbështetjen kryesore të Bashkisë qytetit të Vlorës si dhe Ministrisë së Kulturës e donatorë të tjerë.
Festivali Aulona Folk vazhdon të mbetet një manifestim i jashtëzakonshëm i folkut europian e më gjerë si dhe një një promovim i rrallë i hapjes zyrtare të sezonit turistik të Vlorës.
Një gërshetim i bukur i turizmit kulturor me turizmin natyror të rërës e ujit të detit.
Edicioni i Parë i këtij Festivali është mbajtur në vitin 2009 duke shënuar të parin festival nderkombëtar folku në hapësirën mbarëshqiptare.
Për nga standartet që realizon, gjeografinë dhe diversitetin e grupeve, nivelin e zhvillimit në të gjitha planet ky festival prej edicionit të dytë është kualifikuar nga CIOFF duke u bërë pjesë e kalendarit botëror që ky institucion prestigjioz kulture organizon në çdo vit kalendarik.
Në tetë edicionet e zhvilluara kanë marrë pjesë rreth 70 ansamble nga vende të dryshme të Europës me mbi 2300 festivalistë.
Festivali ndan si trofe “Kupën e Festivalit” e cila deri tani ka shkuar në Sllovaki, Kroaci, Bullgari, Itali, Kosovë, Turqi, Poloni dhe në Tiranë kur fitues është shpallur Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore.
President Nderi i Edicionit të 9 – të do të jetë Akademik Muzafer Korkuti, Kryetar i Akademisë së Shkencave.
11, 12, 13 maj 2017, Skelë, Vlorë
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.