Ekspozitë e veprave të sekuestruara - Ministria e Kulturës
Postuar më: 11/10/2013

Ekspozitë e veprave të sekuestruara

Jam këtu për të hapur këtë ekspozim të një lloji shumë të veçantë për njerëzit e kulturës dhe publikun e gjerë.

Pas operacionit të policisë në të cilin u sekuestruan një numër i konsiderueshëm veprash arti dhe ikonash, dhe ndërsa prokuroria bën punën e vet, ashtu sikurse specialistët e trashëgimisë kulturore po ndihmojnë në inventarizimin dhe identifikimin e objekteve  që ndodhen në Galerine e Artit, Policia e shtetit na mundësoi ekspozimin e një pjese të veprave dhe ikonave që ata disponojnë.

Ato janë përzgjedhur me kujdes nga ekspertët tanë nën drejtimin e Drejtorit të Galerisë së Arteve, Z. Rubens Shima, të cilin gjej rast ta falenderoj për përkushtimin , sikurse falenderoj ekspertët  e trashëgimisë që prej 3 ditësh po punojnë intensivisht për këtë inventarizim të tyre.

Kemi sot në mjediset e Galerisë, 477 objekte, sipas informacionit më të fundit të Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive kulturore. Duke ekspozuar këto thesare ne duam të japim një mesazh të fortë se sa të vëmendshëm duhet të jemi para trashëgimisë sonë kulturore, si duhet ta trajtojmë atë, si duhet të kujdesemi për të.

Kujdesi i pare është detyrë e institucioneve shtetërore. Edhe kjo që ndodhi tregon për mangësitë e sistemit të ruajtjes, regjistrimit, dhe deklarimit të veprave të artit, mangësi me natyre ligjore dhe institucionale.

Ju siguroj se ky është një nga frontet e punës që sapo ka hapur Ministria e Kulturës, brenda institucioneve të saj të varësisë dhe në marrëdhenie me subjektet private të artit.

Kujdesi i dytë për t’i ruajtur e shpëtuar na takon të gjithëve si qytetarë, për vendin tonë, për vete dhe për fëmijët tanë.

Sot kam ftuar nxenes të Liceut Artistik dhe studentë të arkeologjisë për të vizituar për së pari këto objekte, sepse vlerat kulturore të artit dhe të trashëgimisë janë jo vetëm thesare të kombit, por një mjet i rëndësishëm edukimi për publikun dhe sidomos për të rinjtë.

Ky është edhe një nga prioritetet e shpallura të Minsitrisë së Kulturës: Të edukojmë dhe të edukohemi përmes kulturës, asaj moderne, asaj klasike dhe të trashëgimisë.

Unë jam këtu sot të shoqëroj studentët dhe të dëgjoj e të mësoj nga shpjegimet e specialistëve të trashëgimisë.

Gjatë kësaj fundajve këto objekte do të jenë të vizitueshme për publikun dhe nën mbikqyrjen profesionale të forcave të policisë.

 

JU FALEMINDERIT!