Ngjarja e ditës së shtunë na vendosi të gjithëve përpara një sfide: Sfidës së menaxhimit të situatës: së pari menaxhimit të panikut, qetësimit të qytetarëve e më pas koordinimit me të gjitha forcat tona në terren, për të ndjekur situatën hap pas hapi, për të mbledhur informacion, për të evidentuar dëmet nga tërmeti dhe për t’u ardhur në ndihmë të dëmtuarve, sidmos në rastet më emergjente.
Ministria e Kulturës, e cila menaxhon 2228 monumente kulture në të gjithë territorin e vendit, u angazhua maksimalisht për të evidentuar në terren situatën, sidomos në zonat më afër epiqendrës së tërmetit.
Në bashkëpunim me pushtetin vendor dhe Institutin e Ndërtimit, një kujdes i veçantë iu kushtua institucioneve të frekuentueshme, si muze, galeri, site, universitete
(Muzeu Historik Kombëtar, Galeria Kombëtare e Arteve, Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit, Universiteti i Arteve, Fakulteti Gjeologjik) dhe mbi të gjitha banesat-monumente kulture, të cilat janë të banuara. Dhe janë pikërisht këto të fundit, që u inspektuan menjëherë dhe morën edhe ndihmën e parë, si Pallatet Shallvare, Shtëpia e Sali Shijakut, etj.
Sigurisht vëmendja u përqëndrua më së shumti në Durrës (Muzeu Arkeologjik Durrës, Amfiteatri Durrës) aty ku dëmtimet ishin edhe më të dukshme, dhe ku kemi një përqëndrim edhe më të madh të monumenteve të kulturës.
Informacioni u mblodh në një kohë fare të shkurtër, duke u përkthyer në masa konkrete, hartime projektesh dhe ndërhyrje.
Me kënaqësi mund të deklaroj se situata u menaxhua mjaft mirë dhe sistemi i ngritur ka funksionuar.
-Vetëm pak minuta pas regjistrimit të lëkundjeve sizmike, Ministria e Kulturës vuri në lëvizje Komisionin e Planifikimit dhe Përballimit të Emergjencave Civile pranë kësaj ministrie, koordinoi grupet e të inspektimit në secilin institucion të specializuar pë kryerjen e inspektimet në terren, të cilat nisën që në datën 21 shtator.
Masat e marra:
– Grupi i emergjencave evidentoi dëmtimet dhe problematikat në strukturën e ndërtesave, sipërfaqet e tyre, me qëllim evidentimin dhe parandalimin e atyre dëmtimve që mund të sillnin rrezikshmëri për punonjësit e institucioneve apo kalimtarëve në afërsi të godinave.
– Grupet e inspektimit të përbëra me nga 2-3 anëtarë, ku të paktën një anëtar është inxhinier ndërtimi, përcaktuan prioritetet e inspektimeve të objekteve me status monument kulture, në funksion të rëndësisë, si objekte administrative, muze, fakultete, banesa populore, ura për të vijuar hap pas hapi për çdo objekt monument kulture në territorin e prekur nga lëkundjet sizmike.
– U hartua formulari për vlerësimin e dëmtimit në objekte të trashëgimisë kulturore, i cili u përdor dhe plotësua nga të gjitha grupet në terren.
– U organizuan dy apo më tepër seri inspektimi në rastet kur objekti paraqiste nevoja dhe dëmtime, që duheshin parë nga më shumë specialistë dhe koordinim me Institutin e Ndërtimit. – U bashkëpunua ngushtë me Bashkinë Tiranë për vendosjen e perimetrit të sigurisë, në rastet kur objektet paraqisnin rrezik për kalimtarët.
Në periudhën 21-23 shtator janë inspektuar:
Drejtoria Rajonale e Kulturës Gjirokastër: 52 monumente
Drejtoria Rajonale e Kulturës Berat: 417
Drejtoria Rajonale e Kulturës Vlorë: 28
Drejtoria Rajonale e Kulturës Korçë: 54
Drejtoria Rajonale e Kulturës Shkodër: 55
Janë inspektuar 128 objekte në qarqet më të prekura nga Tërmeti si Qarku i Durrësit, Elbasanit Tiranës.
Nga sa më sipër rezultoi se:
92 monumente rezultojnë të përdorshme pa rrezik,
24 objekte pjesërisht të rrezikuara,
9 objekte të rrezikuara, të papërdorshme (pjesa më e madhe e tyre janë të papërdorshme jo për efekt të tërmetit, por kanë qenë objekte të dëmtuara edhe më herët)
-Këto ditë Ministria e Kulturës është rivënë përballë vështirësive ekonomike, me të cilat përballet gjithmonë trashëgimia kulturore.
Trashëgimia kulturore është një pasuri që na takon të gjithëve dhe si e tillë, është e nevojshme mbështetja financiare, jo vetëm nga pushteti qëndror, por edhe ai lokal, madje edhe nga donatorë privatë.
Ministria e Kulturës po riformulon buxhetin e saj të mirëmbajtjes për muajt në vijim, për t’iu përgjigjur dëmeve sado të vogla në rrezikshmëri, por shumë të kushtueshme për buxhetin që disponojmë.
Besoj se nuk gaboj kur them që në imazhin e memorien tonë kolektive, pas tërmeteve ose fatkeqësive në vendet fqinje, kemi jo vetëm dëmtimin e banesave, por mbi të gjitha të pasurisë së përbashkët, monumenteve të kulturës, objekteve të kultit, që janë një element I fuqishëm i identitetit të një kombi.
Ndaj, sot ndaj me ju këtë shqetësim, duke ju kujtuar se trashëgimia jonë kulturore, është një nga asetet tona më të çmuara, një pasaportë, e cila na bën padyshim pjesë të Europës.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.