Kur flasim për trashëgiminë kulturore, shumëkush mund të sjellë ndër mend rrënoja pa jetë, për të cilat shteti “harxhon” para për t’i mirëmbajtur. Sigurisht deri diku është e drejtë: trashëgimia kulturore kushton shumë për t’u mbajtur në këmbë. Në Shqipëri numërohen 2228 monumente kulture, të cilat shteti shqiptar e ka të pamundur t’i mbulojë me buxhetin që disponon. Por ky është problem global. Edhe në Itali apo Greqi, vendet fqinje, me një trashëgimin të spikatur kulturore hasen të njëjtat probleme, edhe pse, shumë më herët se ne, ata e kanë zbuluar se trashëgimia kulturore mund të kthehet në burim të ardhurash.
Dhe pra, ne jemi në momentin që duhet ta trajtojmë trashëgiminë kulturore, jo thjesht dhe vetëm si “gllabërues” fondesh, por si një gjeneruese fondesh, si një motor i vërtetë zhvillimi ekonomik.
Këtij ndërgjegjësimi i shkonte për shtat edhe një kuadër i ri ligjor. Një vit më parë u miratua Ligji i ri për Trashëgiminë Kulturore, i cili solli një sërë risish në qasjen tonë ndaj trashëgimisë materiale dhe jomateriale.
Por impakti i plotë i këtij ligji do të shihet kur të miratohet edhe Ligji i ri për Artin dhe Kulturën, që po ashtu do të sjellë një vizion të ri në këtë fushë e ku arti e trashëgimia do të jenë të lidhura ngushtësisht.
Por, sa i takon Ligjit për Trashëgiminë, aktualisht ne jemi në fazën e detajimit me akte nënligjore dhe vënies në jetë të tij përmes implementimit të atyre akteve,që sjellin dhe një mendësi të re në menaxhimin e pasurisë sonë kulturore.
Format e reja të menaxhimit janë vetëm një nga mundësitë e ofruara nga ligji. Ky është vetëm një hap që po ndiqet paralelisht me të tjerë, si miratimi i VKM për dhënien në përdorim të trashëgimisë materiale, administrimi indirekt, ristrukturimi e institucioneve të trashëgimisë (IKTK), ngritja e strukturave të reja, i këshillave si ai Kombëtar për Menaxhimin e Pasurisë Kombëtare etj.
Nevoja për një plan menaxhimi të integruar na është paraqitur në mënyrë të vazhdueshme në sitet e trashëgimisë kulturore, në të gjithë Shqipërinë, të cilat në një epokë të re, kur turizmi po kthehej në produktin më të “shitshëm” të momentit, po përballeshin me të tjera kërkesa. Por tanimë hartimi i planeve të menaxhimit na vjen edhe si një kërkesë ligjore, së cilës ne duhet t’i përgjigjemi.
Në këto kushte vendosëm të ndërmarrim një sfidë, të cilën jo më kot e nisëm me Pakun Kombëtar të Butrintit.
Do të kishte qenë shumë më e thjeshtë të kishim nisur me një sit më të vogël, por e nisim pikërisht, me një pasuri të trashëgimisë botërore, nën mbrojtjen dhe monitorimin e UNESCO-s, që ka edhe numrin më të madh të vizitorëve në vend, i cili paraqet edhe nevojën më imediate për një formë të re menaxhimi, por edhe potencialin e nevojshëm për t’u kthyer në një model të qëndrueshëm dhe të replikueshëm.
Sipas planit të ri të menaxhimit, Parku Kombëtar i Butrintit do të kthehet në qendrën e një vargu rrathësh koncentrikë, ku primar do të jetë konservimi i trashëgimisë kulturore, por i lidhur ngushtësisht me gjithë zonën përreth.
Parku Kombëtar Butrinti duhet të kthehet në një “park lider”, model edhe për parqe të tjera në Shqipëri, të cilët nga viti në vit presin e përcjellin më shumë turistë, tek të cilët duhet të prezantojmë në një mënyrë më atraktive pasuritë që disponojmë, por edhe u duhen ofruar më shumë shërbime mbështetëse..
– Plani i Menaxhimit të Integruar të Butrintit 2020-2030,është hartuar në kuadër të Ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë, duke sjellë perspektiva të reja me kornizë të prekshme dhe të matshme për ruajtjen e vlerave të sitit.
Kërkesa për një Plan të Integruar të Menaxhimit për sitin pasuri botërore të Butrintit është një kërkesë e vazhdueshme e Vendimeve të Komitetit të Trashëgimisë Botërore dhe rekomandim në vijimësi i ICOMOS.
Planet e përgatitura në të kaluarën (periudha 2000–2015): “Plani i Menaxhimit të Butrintit 2000-2005”, “Plani i Menaxhimit të Butrintit 2007-2012”, “Plani i Menaxhimit të Parkut Kombëtar Butrint 2009” nuk kanë pasur në fokus kryesor pronën pasuri botërore.
Ata kanë qenë plane të fokusuar kryesisht vetëm një komponent të pasurisë së parkut.
Ndërsa tani, Plani merr në konsideratë në mënyrë të integruar vlerën e jashtëzakonshme Universale, të gjitha potencialet kulturore, natyrore dhe mjedisore.
Në terma afatgjatë, ky dokument synon të ofrojë një qasje të re në sitet e trashëgimisë në vend, duke adresuar çështjet që lidhen me kufizimet e instrumenteve te menaxhimit, zhvillimin e qëndrueshëm, rritjen e turizmit kulturor, ngritjen e kapaciteteve në menaxhim dhe qasjen ndaj komuniteteve lokale. Rritja e ndërgjegjësimit publik, përfshirja e komunitetit dhe përfaqësuesve të autoriteteve lokale për të rritur ndërgjegjësimin e ruajtjes së vlerave kulturore dhe mjedisore, për një zhvillim të qëndrueshëm është një nga qëllimet kryesore të këtij plani.
Plani i Menaxhimit të Integruar të Butrintit ka konsideruar edhe planet e mëparshme të menaxhimit, të cilat tashmë, i kanë tejkaluar afatet kohore e ligjore, pas miratimit të Ligjit të ri, por edhe të kërkesave të reja, që na parashtrohen me shtimin e interesit të vizitorëve.
Modeli i menaxhimit të trashëgimisë kulturore është një terminologji e re në Shqipëri, e cila u prezantua me Ligjin e ri të Trashëgimisë Kulturore. Gjatë viteve të tranzicionit dhe më tej, e vetmja mënyrë e menaxhimit ishte ajo publike, ndërkohë që eksperiencat në bashkëpunim me subjektet private, kanë qenë ato të dhënies me qira të ambienteve, çka në vetvete nuk është një model menaxhimi.
Ligji i ri i Trashëgimisë kulturore, ka një bazë të modelit të menaxhimit indirekt, që përfshin bashkëpunimin me sektorin privat në modelet e fondacioneve kulturore, njëlloj si modeli I Kodit Italian të Trashëgimisë kulturore, që përfshin 70% të pasurisë botërore UNESCO.
Nga ana tjetër në hartimin e këtij Plani janë marrë parasysh të gjitha eksperiencat e mëparshme, jo vetëm në planin menaxheria, por edhe të institucioneve të tona të trashëgimisë, të studiuesve dhe ekspertëve tanë të arkeologjisë, por edhe të gjitha ministrive të linjës dhe institucioneve, puna e të cilave lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me Parkun Kombëtar të Butrintit, me komunitetin vendas etj.
Modeli i menaxhimit të Parkut të Butrintit përbën në vetvete, modelin më kompleks dhe më të mbrojtur të menaxhimit indirekt, ku i gjithë procesi i krijimit të fondacionit kulturor do i nënshtrohet diskutimit publik dhe atij parlamentar. Pas miratimit në Këshillin Kombëtar të Menaxhimit të pasurisë Kulturore, do të kalojë në Qeveri e më pas për diskutim në Parlament.
-Krahas çështjeve dhe politikave të reja, të cilat janë identifikuar si detyra menaxheriale me prioritet në Planin e Veprimit, ky dokument evidenton edhe fushat ku nevojitet të bëhet ende progres.
Qëllimi i këtij Plani është dhënia e rekomandimeve për aspekte të ndryshme si drejtimi, menaxhimi dhe mbrojtja e vlerave të qytetit antik.
Aktualisht jemi këtu për të diskutuar mbi një Plan të ri Menaxhimi, përmes një Fondacioni të posaçëm që Ministria e Kulturës ngre me një partner strategjik, duke qenë gjithnjë lider në vendimmarrje dhe në monitorim të çdo hapi që do të ndërmerret. Por kjo është vetëm një fazë e parë. Ne kemi filluar dhe do të vijojmë konsultimet publike me grupe interesi, me përfaqësues komuniteti, me biznesmenë, operatorë turistikë, duke besuar dhe duke e gjykuar me shumë vlerë mendimin e gjithsecilit.
Sot jemi të gjithë këtu me një qëllim, që Butrinti me të vërtetë të jetë një markë, të ruajmë dhe të promovojmë trashëgiminë tonë kulturore dhe ta kthejmë atë në një motor zhvillimi të qëndrueshëm.
Hartimi i këtij Plani të ri Menaxhimi ka qenë një punë e gjatë dhe komplekse për hartuesit e tij, studioja “Prince & Pearce”, për të evidentuar dhe përqasur modelet më të mira, që i përshtaten tipologjisë së Parkut të Butrintit; duke mbledhur eksperiencën më të mirë të ekspertëve shqiptarë në të gjitha fushat që lidhen me të dhe duke hetuar në terren situatën.
Për më tepër do të doja të ftoja, për një prezantim më të detajuar, Z. David Prince!
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.