Miqtë e nderuar francezë ndoshta nuk e dinë se nuk na ka ndodhur shpesh të mblidhemi kështu si sot, në këtë shtëpi paradoksesh:
Dikur një shtëpi luksoze në vendin më të varfër të Europës;
nga ku predikohej barazi, por këto hapësira përballë shtëpive të shqiptarëve të zakonshëm tregojnë se veç barazi nuk kishte;
me një bibliotekë të jashtëzakonshme librash të ndaluar; ku lexoheshin edhe iluministët francezë, por fatkeqësisht shpërndante vetëm errësirë…
Jo shumë larg që këtu, në hyrje të lagjes që edhe sot njihet si “Bllok” ndodhet
Tri simbole të izolimit të thellë që ideohej në këtë vilë e që sot vizitohen si kuriozitete turistike.
Po bash aty, shumë prej nesh e mbajnë mend postëbllokun dhe ushtarin që ruante një zonë të paprekshme, të rezervuar vetëm për udhëheqjen e lartë.
Dhe në mes të kësaj lagjeje, kjo vilë: shtëpia e diktatorit Enver Hoxha, që mbeti po aq e zymtë dhe e vetmuar, edhe pas rënies së diktaturës.
Vështirë ta ndash nëse ngjallte më shumë frikë apo kuriozitet; një objekt i “poseduar” nga fantazmat e së shkuarës, që të gjithë dëshironin ta vizitonin, por jo të qëndronin në të.
Madje as restaurime të plota nuk janë bërë në kaq shumë vite, mes dilemës nëse duhej lënë të rrënohej bashkë me kujtesën e saj, apo të ruhej si dëshmia e 50 viteve të rrëmbyera nga jetët e shqiptarëve.
Nëse muret do të flisnin se ç’kanë dëgjuar për artin, që pas çlirimit deri në rënien e diktaturës, do të na tregonin se si poseduesi i kësaj vile e përdorte herë si një mjet propagande për të skalitur imazhin e “njeriut të ri socialist”, dhe për të manipuluar turmën me figurën e rrejshme të të huajit, që shfaqej si “bajlozi” që vinte përtej detit për të pushtuar fortesën e fundit të marksizëm-leninizmit;
Dhe herë për të mbytur, mallkuar, ndëshkuar e madje edhe prerë jo vetëm krijmtarinë, por edhe jetën e artistëve, poetëve, shkrimtarëve, muzikantëve…
Është një listë e gjatë, e trishtë kjo e fundit me të persekutuar e të dënuar për shkak të artit (Edison Gjergo, Edi Hila, Ali Oseku, Maks Velo, Visar Zhiti, Sherif Merdani, Vilson Blloshmi, Genc Leka…)
Dy vjet më parë një regjisor i ri guxoi të thërriste fantazmën e Lady Makbethit, që vërtitej dhomave të kësaj shtëpije pa gjetur prehje;
Ndërsa shkrimtarja filozofe Lea Ypi e “provokoi” keqazi diktatorin atje ku përpëlitet, duke promovuar librin “E lirë”, në shtëpinë që i kishte mohuar lirinë familjes së saj.
Dy akte “përqeshjeje” ndaj hijes që dukej e burgosur brenda këtyre mureve prej gati 4 dekadash.
Por nuk mjaftojnë as 2 dhe as 10 ngjarje artistike sporadike për të larguar hijet e së shkuarës.
Shndërrimi i kësaj vile në një rezidencë artistësh nga e gjithë bota, dua ta mendoj si dënimin më të keq në botën e përtejme të fantazmës që e posendonte apo përpëlitjen (kthimi përmbys) në varr, siç do e quanin gjyshet tona.
Imagjinoni seç ndodh n’atë botë tani që këtu në këtë vilë mes nesh është edhe Presidenti Macron…, që gjej rastin ta falenderoj që na u bashkua në këtë takim pothuajse “spiritualist”…
Jemi të paduruar të përjetojmë kohën kur kjo vilë të mos quhet më vila e Enverit, por “vila e artit”; Një hapësirë e munguar dialogu, që i mbivendoset një hapësire ku dialogu nuk ishte alternativë.
Në këtë shtëpi paradoksesh i hapim udhën edukimit të brezit të ri me artin; dhe kjo rezidencë artistësh e kthen Shqipërinë edhe në një destinacion artistik përveçse turistik.
Ky takim i sotëm nuk është një segment i veçuar, por kapitull i një ngjarjeje historike. Dy ditë më parë Tirana i hapi dyert Kolegjit të Europës, që do të presë jo vetëm studentë shqiptarë, por nga gjithë kontinenti.
Edukimi përmes dijes dhe artit, sot ecin në të njëjtat shina, në të njëjtën kohë, me të njëjtin qëllim: Krijimin e së ardhmes europiane gjenerates se re që jeton në Shqipëri. Këtu puna ka filluar, godina po i nënshtrohet restaurimit, pa i hequr asgjë nga çka qenë më parë, me ndërgjegjen që nuk mund të ndërtojmë duke fshirë të shkuarën, por duke mësuar prej saj;
Ashtu si kolegjin që nuk mund ta ngrinim dot të vetëm, edhe këtë rezidencë po e krijojmë me një nga ekselencat europiane të artit: “Art Explora”. Një fondacion Francez arti, tejet prestigjioz, që ka krijuar një rrjet botëror bashkëpunimesh, duke u shtrirë nga Franca në Mbretërinë e Bashkuar e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e tanimë edhe në Tiranë.
Me Art Exploren hapim një kapitull të ri jo vetëm në historinë e ankthshme dhe izolimit të kësaj vile, por vizatojmë një tjetër kartolinë të mikpritjes së Shqipërisë e shqiptarëve nëpërmjet artit e kulturës, ashtu si edhe gjatë ditës së djeshme në Samitin e Procesit të Berlinit.
Pa dashur të zgjatem në falenderime të pafundme për këdo që na u bashkua në në këtë nismë, më lejoni të ndaj me ju mirënjohjen për Frederik Zhyse dhe Bryno Zhyliar që na besuan dhe e patën vizionin ta përfshijnë edhe Tiranën e rrjetin e tyre të bashkëpunimeve.
Faleminderit Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare, që ka qenë e do të vazhdojë të jetë një mbështetje e çmuar për realizimin e këtij projekti.
Faleminderit Kryeministër që na shtyn të tejkalojmë veten e përherë kufijtë me projekte të reja! Këtë mision do e çojmë përpara bashkë me artistë nga e gjithë bota, që do të kthehen në ambasadorë të Shqipërisë në botë.
Sot një prej tyre është edhe bashkëpunëtori e tashmë edhe miku i mirë, presidenti i “Art Explora”, Frederik Zhyse.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.