Në rrugën e historisë, Shqipëria ka njohur eksode masive, shqiptarët janë vendosur në vende të ndyshme të botës e sot kemi diaspora të vjetra e të reja nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada, në Belgjikë, Zvicër, Angli, e shumë më shumë në vendet fqinje në Itali e Greqi.
Janë ngulitur, kanë ngritur jetën e tyre, por pa harruar lidhjet me rrënjët, me vendin e tyre.
Është mahnitëse ajo që ka ndodhur me arvanitasit e aq më tepër me arbëreshët e Italisë. Është e mrekullueshme se si për shekuj ata kanë ruajtur “gluhën e bukës dhe të zemrës”, e kanë trashëguar atë brez pas brezi, së bashku me tradita e zakone.
Dhe po në Itali, kësaj diaspore besnike, i është shtuar ajo më e re, jo vetëm ajo e të ikurve përmes ambasadash e anijesh, por edhe ajo, e krijuar gradualisht përmes shkollarësh, që më pas e gjetën veten në fqinjin e përtej detit. Por këta, ndryshe nga arbëreshët e 500 viteve më parë, kanë lirinë dhe mundësinë të jenë të pranishëm.
Si pjesë e diaporës e di fare mirë se sa e rëndësishme është lidhja me vendin e lindjes. Është një lidhje e pashkatërrueshme dhe në fund, pasi ka kaluar “rebelimi” i kufizimit të mundësive, që çdo kush do të donte t’i kishte në vendin e vet, mbetet e pastër dhe e pakushtëzuar nga asgjë.
Sot jemi këtu, por në nje tjetër kontekst. Shqipëria ka një plagë më shumë.
Tërmeti i 26 nëntorit na përballi me një situatë, për të cilën nuk ishim të përgatitur. Nxorri në pah nevojën për logjistikë, infrastrukturë dhe specialistë.
Por nxorri në pah edhe një tipar të vyer të shqiptarëve, atë të solidaritetit. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për para, veshje, ushqime, por edhe prezencë, vullnetarizëm.
Në këto ditë të vështira janë ofruar donatorë të fuqishëm për të ndërtuar banesa për të pastrehët, Turqia u ofrua të ngrejë 500 banesa, e kështu edhe të tjerë, por ajo që e shoh të domosdoshme dhe natyrale është kontributi i diasporës shqiptare.
Për të gjithë ata që janë larguar dhe kanë lënë pas shtëpinë, familjarët, kontributi është i vazhdueshëm. Remitancat vazhdojnë të jenë të rëndësishme në Shqipëri. Sipas Bankës së Shqipërisë, remitancat janë burim të ardhurash për rreth 26% të familjeve shqiptare ( 1,237 milionë euro).
Por ajo që ndjejmë të nevojshme në këto momente është përfshirja e vetë diasporës në procesin e rindërtimit.
Statistikat flasin për një numër emigrantësh prej rreth 1.19 milionë individë; Imagjinoni se ç’burim energjie, force, aftësish..
Janë me qindra të rinj që janë shkolluar jashtë vendit, në universitetet më të mira e që mund të përfshihen në projekte nga më të ndryshmet: në koordinim, projektim, ndërtim, rehabilitim, rijetëzim.
Sot më shumë se kurrë Shqipëria ka nevojë për shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë ata. Është koha për të qenë bashkë. Është e pashlyeshme ajo që ky vend na ka dhënë. Dhe këtë nuk e them nga pozicioni një ministri, por si pjesë e diasporës, që rrëmbeva mundësinë për t’u kthyer e për të dhënë kontributin tim modest.
Diaspora shqiptare duhet të jetë një faktor në zhvillimin social dhe ekonomik të vendit dhe është detyra jonë që t’i afrojmë, t’i bëjmë pjesë të projekteve tona, të nxisim praninë e tyre, sepse ata nuk janë “të ikur”, por një aset, që ne duhet të kemi fatin që ta shfrytëzojmë.
Shqipëria nuk është vetëm një vend që prodhon emigrantë dhe krijon diaspora, por një vend mundësish, që së bashku duhet ta ndihmojmë të jetë vendi që gjithnjë kemi ëndërruar.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.