Vështirë të mos na shkojë menjëherë mendja te përkthimi kur përmendet emri TRADUKI.
Dhe kur flasim për përkthim domosdoshmërisht kemi ndërmarrë rrugën drejt TJETRIT, si të ngjashëm, si të ndryshëm, si kultura, si vende, si jetë njerëzore e letrare, si histori, si përtej kufijsh, duke i i shpërfillur këto të fundit bash sepse kultura është ajo tokë ku njerëzit mund të lëvizin lirisht dhe pa vizë, me sytë e mendjes dhe të shpirtit, ku përkthimi mund të ngrejë të gjitha urat e mundshme.
TRADUKI ky rrjet kulturor dhe letrar, prej kohësh ngre të tilla ura.
Me TRADUKIN kulturën tonë nuk e lidh thjesht një emër. Pas këtij emri është një histori veprimtarish të përbashkëta, të nisura prej vitesh me partnerë vendas nga Shqipëria dhe Kosova.
Kjo histori ruan në kujtesë botime librash të autorëve shqiptarë në gjuhët e „Tjetrit“ – fqinjë me ne, njeh botime të autorëvë të rajonit dhe të autorëve gjermanë, austriakë dhe zvicerianë në gjuhën shqipe, shënon mbështetjen me bursa për shkrimtarë dhe sidomos përkthyes, ka veprimtari letrare, nxitje drejt debatit ndërkulturor, ka pjesëmarrje në disa prej veprimtarive më të rëndesishme europiane të letrave, siç është Panairi i Librit në Leipzig dhe Panairi i Librit në Frankfurt.
TRADUKI i ka pasur të hapura dyert për njerëzit e letrave dhe të kulturës shqipe, duke kërkuar prej tyre vetëm një gjë: cilësinë dhe mendjen e hapur.
Sot marrëdhënia me TRADUKI-n, si një nga rrjetet aktive dhe me ndikim të klimën evropiane të letrave, po merr një dimension të ri: atë të hyrjes në rrugë institucionale.
Si ministre e kulturës së Shqipërisë unë kam kënaqësinë dhe nderin të radhis Shqipërinë mes vendeve si Gjermania, Austria, Zvicra, Lihshtejnshtajni, dhe nga rajoni të jetë vendi i tretë pas Sllovenisë dhe Kroacisë.
Ky institucionalizim i marrëdhënies nuk vjen rastësisht dhe i papërgatitur. Ai është shprehje e një vizioni, e një mendësie, e një politike dhe e një zgjimi kulturor.
Në themel të kësaj politike qëndron vullneti për bashkëpunim, hapja dhe përballja ndaj kulturës së ‚Tjetrit’. Përkrah saj rri edhe dëshira për ta kuptuar historinë e ‚Tjetrit’, për ta bërë historinë e tyre pjesë të vetes dhe për ta bërë historinë tonë më të njohur përmes librave, botimeve, përkthimeve, shkrimtarëve dhe përkthyesve si faktorë përcjellës të rëndësishëm për kulturat tona.
Por ajo që në thelb e përkufizon TRADUKI-n si një lëvizje, nuk është qëndrimi në kornizën e mbyllur të letërsisë artistike, të botimit përkthimit të saj. Përmes nismave të veta, TRADUKI kërkon të ndikojë në situatën dhe klimën kulturore sociale dhe politike, të ndërmjetësojë në afrimin e rajonit tonë me Evropën. Kësaj nisme i bashkohet sot edhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë.
Prej sot, ne bëhemi pjesë e bashkërendimit të projekteve dhe programeve të përbashkëta me partnerë të rëndësishëm europianë dhe rajonalë, si Ministria Federale për Çështje europiane e ndërkombëtare e Republikës së Austrisë, Ministria e Jashtme e Republikës Federale Gjermane, Ministria e Kulturës e Republikës së Kroacisë, Departamenti i Kulturës në qeverinë e Principatës së Lihtenshtajnit,Fondacioni kulturor zviceran Pro Helvetia, KulturKontakt Austria, Instituti Goethe, Fondacioni S.Fischer, Agjencia sllovene e Librit JAK, shoqata kroate e Kulturës Kurs në Split dhe Panairi i Librit në Lajpcig, mes të cilëve prej sot do vendoset edhe Ministria e Kulturës së Shqipërisë.
Por ajo çka është e rëndësishme të theksohet këtu është, sidomos fakti, i hyrjes në një fazë të re. Përmes këtij anëtarësimi, që nënshkruajmë sot, Shqipëria nuk është më vetëm pjesë e aplikantëve për projekte kulturore, por partnere, kontribuese në politikëbërjen e saj kulturore dhe në integrimin e këtij produkti kulturor në kulturën e kontinentit.
Falë këtij anëtarësimi, për herë të parë Shqipëria do të jetë e përfaqësuar dhe këtë përfaqësues të saj me të drejtë vote në Bordin Drejtues të TRADUKI-t, si instanca më e lartë e Rrjetit TRADUKI-t, në Komisionin e Programit dhe në Komitetin Drejtues.
Përmes këtij instrumenti vendimmarrës shkrimtarët dhe përkthyesit, botuesit, organizatorët e ngjarjeve kulturore të librit dhe të letërsisë i shprehin dhe i identifikojnë më qartë nevojat dhe emergjenca e tyre, duke ia paraqitur ato një arene më të gjerë kulturore, politike, sociale, por edhe financiare gjithashtu.
Ndikimi për rritjen e cilësisë së përkthimeve, nxitja përmes bursave dhe Shtëpisë së Shkrimtarit dhe Përkthyesit, të themeluar tanimë në Tiranë falë kontributit të TRADUKIT, ndikimi përmes programeve dhe projekteve mbi kritikën letrare dhe letërsinë për fëmijë, aq shpësh të qortuara mes nesh, por edhe respektimi i të drejtave të autorit, sidomos të autorit vendas dhe propozimi i një ideksi mbi shpërblimin e përkthyesve dhe çertifikimin e tyre përmes një rregullatori, janë fusha që kthehen në detyrim të dëshiruar për ne.
Kemi kënaqësinë të kemi sot mes nesh për ta realizuar këtë akt,
Zonja Antje Contius, drejtoreshen ekzekutive të Projekti Traduki,
Zonja Hana Stojic… , koordinatorja rajonale e zyres se Sarajeves por edhe një personalitet të rëndesishem të kulturës europiane, Kuratorin e FOndacionit Fisher qe e mbështet këtë projekt, Zotin Richard Swartz, me të cilin lexuesi shqiptar është njohur përmes librit të përgatitur prej tij me ese te autorëve te Europës Juglindore të titulluar “Ata që janë ndryshe dhe që i kemi pranë” (botime Toena)
E pra ne që jemi ndryshe dhe që jemi pranë nënshkruajmë sot këtë marrëveshje për të qenë edhe më pranë me ata që jemi ndryshe.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.