“Nuk shkon pa emocione kjo ditë për mua dhe për të gjithë ne, sepse kemi kohë që e përgatisim dhe e prisnim.
Është pa më të voglin dyshim një ditë e rëndësishme për çdo gjirokastrit, jo vetëm për secilin nga ju që jetoni çdo ditë në Gjirokastër por edhe për secilin nga ne që Gjirokastrën e ka në damarë.
Por jam e bindur se është një ditë e rëndësishme edhe për këta të tjerët që kanë ardhur me ne, që s’janë gjirokastritë – se nuk e patën atë fat, – por që u qan zemra për Gjirokastrën se ia dinë vlerat edhe gurëve edhe njerëzve, edhe historisë së Gjirokastrës
Jo për gjë, por edhe këta e kanë kuptuar që ku thua Gjirokastër i ke thënë të tëra…
Dhe që t’i themi të tëra, është e udhës që të kujtojmë si e nisëm këtë punë.
Unë nuk do ta harroj asnjëherë se si, kur u bë publike përbërja e qeverisë së re në 31 korrik 2013, kutia ime e mesazheve u përmbyt nga një lumë emailesh dhe letrash që UNESCO i kishte dërguar shtetit shqiptar gjatë vitit 2013, të cilat për muaj të tërë kishin mbetur pa përgjigje.
Të gjitha ato letra kishin të bënin me Gjirokastrën në rrezik, Gjirokastrën ku lulëzonin ndërtimet pa leje, Gjirokastrën pa strategji turistike, pa plan rehabilitimi urban, pa perspektiva ekonomike për banorët dhe biznesin.
– E pra në korrik 2013 shteti shqiptar rrezikonte të merrte nga UNESCO damkën e turpit për mungesë të plotë vëmëndje, përgjegjësie dhe zbatimi të ligjit të trashëgimisë
Morëm përsipër të realizonim atë që premtuam:
T’i kthejmë Gjirokastrës kurorën e krenarisë shqiptare.
– Në tetor 2013, KKT vendosi moratoriumin për pezullimin e lejeve të ndërtimit në të gjitha zonat e trashëgimisë kulturore, me përparësi Gjirokastrën duke i thënë stop njëherë e përgjithmonë barbarisë së ndërtimeve pa leje në trashëgiminë kulturore.
– Në nëntor 2013 rimorëm të gjitha marrëdhëniet me UNESCO duke iu përgjigjur me transparencë, korrektësi dhe profesionalizëm të gjitha kushteve dhe detyrimeve që shteti shqiptar ka marrë përballë ligjit, qytetarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në janar 2014 përgatitëm listën e emergjencës dhe të objekteve më të rrezikuara në Gjirokastër, dhe nuk ju zbuloj asgjë të re kur themi se ato janë me dhjetra e dhjetra.
Në shkurt 2014 dorëzuam në UNESCO raportin e detajuar për masat e marra dhe planin e ndërhyrjeve mirëmbajtëse në Gjirokastër.
Në mars 2014 çdo ndërhyrje dhe çdo meremetim në Gjirokastër, në infrastrukturë, apo në banesa private, u fut në kontrollin e rreptë të Institutit të Monumenteve dhe të Ministrisë së Kulturës.
Në prill 2014 u ndërtua strategjia financiare për të shpëtuar Gjirokastrën boll të rrënuar prej harrimit dhe mungesës së mirëmbajtjes me gjithë 1 milion eurot të hedhura “për restaurime” në vitin 2009-2010, por që s’u mor vesh nga vajtën, hë, më thoni ju që banoni në qafë të pazarit, ku janë?! Mesa dukej kishin shkuar në drejtim të paditur siç ndodhte rëndom me fondet e hedhura në trashëgimi, por pa lënë asnjë restaurim në trashëgim.
Në maj 2014 bashkë me kryeministrin erdhëm dhe u poqëm këtu në sokaket e Gjirokastrës, bashkë me Kryetarin e Bordit të Fondacionit shqiptaro- amerikan për zhvillim dhe bashkë me ju e modhoisëm nevojën urgjente të ndërhyrjes në Gjirokastër, për t’i rikthyer asaj vlerat historike dhe kulturore, për t’ju dhënë shansin e merituar gjirokasritë të dashur , dhe për ta kthyer Gjirokastrën në një qytetin më të vizituar nga turistët.
E nisëm në korrik 2014 dhe deri në nëntor 2015 kryem inventarizim dhe diagnostikimin e çdo banese, rruge, çatie të Gjirokastrës. Kemi punuar derë më derë për të shpëtuar nga shembja dhjetra objekte në gjendje shumë të rëndë.
Në prill 2015 – rehabilituam Kalanë e Gjirokatrës dhe ndërtuam skenën e re të ArgjiroFest.
Në maj 2015 – organizuam në Gjirokastër Festën më të madhe të trashëgimisë kulturore, Festivalin Folklorik ArgjiroFest_ON ku per 7 ditë e 7 netë Gjirokastra tregoi se ishte në gjendje të priste mijëra vizitorë e turistë dhe t’i mbresonte ata, kjo skenë sikurse dhe gjithë Gjirokastra është bërë skena e preferuar e artistëve.
Në qershor 2015, pas një pune 1 vjeçare me Vendim të Këshillit të Ministrave u aprovua rregullorja e re e Qendrës historike të Gjirokastrës.
Në 2 korrik 2015 – Komiteti Botëror i Trashëgimisë mori vendimin dhe e hoqi Gjirokastrën nga lista e qendrave të rrezikuara duke përgëzuar qeverinë shqiptare dhe Ministrinë e Kulturës për ecurinë e reformave në adminstrimin e Trashëgimisë Kulturore.
Në nëntor 2015 – në bashkëpunim dhe me financim të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim organizohet konkursi për projekt zbatimin e restaurimit të Pazarit të Gjirokastrës dhe fillon puna për hartimin e projektit që do e ktheje Qendrën historike në zonë këmbësore turistike.
Në dhjetor 2015 – Ministria e Kulturës dhe Atelier Albania organizuan konkursin ndërkombëtar për projektin e unazës së Qendrës historike të Gjirokastrës edhe në konsultë me UNESCO.
Janar 2016 Qeveria Shqiptare filloi bashkëpunimin me një tjetër partner strategjik për Gjirokastrën, Banka Botërore me të cilën po punojmë fort për të shtrirë projektin e restaurimit përtej Pazarit. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Ministria kanë bërë gati projektet dhe kanë punuar ngushtësisht me të dy studiot e projektimit të Qendrës dhe të unazës.
Në muajt maj – korrik 2016 u prezantua në Qeveri, në Këshillin Kombëtar të Restaurimit dhe në Këshillin Kombëtar të Territorit projekt zbatimi për restaurimin e Pazarit të Gjirokastrës.
Vetëm dy javë më parë përfundoi edhe projekti i unazës që shumë shpejt do ta diskutojmë edhe bashkë këtu në Gjirokastër.
Sot, 25 shtator 2016, ja ku jemi për të vendosur gurin e parë të këtij kantieri historik.
Hapim kantierin e rilindjes urbane e kulturore të Gjirokastrës, pas 3 vitesh punë plot pasion e përkushtim të dhjetra njerëzve e bashkëpunëtorëve që kanë punuar pa u ndjerë qoftë ata që punojnë në sistemin e trashëgimisë kulturore, qoftë Bashkia e Gjirokastrës, qoftë shoqatat CHwB, qoftë studiot e arkitektëve, dhe pa dyshim partnerët tanë të pazëvendësueshëm AADF.
Të gjithë meritojnë mirënjohje, sepse trimi i mirë pa shokë nuk është trim .
Siç e thotë dhe kënga:
Sot me zërin tim,
Mblidhen mijëra zëra,
Po the Gjirokastra,
I ke thënë të tëra!
PRANDAJ DO TË JEMI ME JU ÇDO DITË, ÇDO JAVE, PËR TË PUNUAR SË BASHKU PËR GJIROKASTRËN E BREZIT TJETËR.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.