Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në edicionin e 13-të "Ditet e Mjedës", Kukël, Shkodër - Ministria e Kulturës
Postuar më: 22/11/2017

Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në edicionin e 13-të “Ditet e Mjedës”, Kukël, Shkodër

“Një javë më parë kujtuam lirikun modern të gjuhës shqipe, Lasgush Poradecin, që i këndoi ëmbëlsisht vendit, natyrës dhe shpirtit të lirë. Po shtegëtimi i shtërgut të tij kishte nisur shumë përpara, ndoshta nga kanga e bylbylave të Ndre Mjedës, lirikut klasik të letrave shqipe.
Ky gjurmin për rizbulimin e autorëve tanë, rikthimin ndryshe dhe rivlerësimin është sot më tepër se kurrë i domosdoshëm. Rileximi është një akt personal, është reflektim dhe riinterpretim në kohë. Dhe Ndre Mjeda, mendimtari dhe ëndërrimtari, që mundi të tejkalojë dhe vetveten dhe shtrëngesën e rregullave të rrepra të formimit, është shtegëtari par excellence, i cili na mbërrin i freskët dhe me shumë kumte për të na komunikuar. Mbi të gjitha, na komunikon atë më thembësoren dhe më njerëzoren, dashurinë për jetën. Dhe këtë dashuri e përcjell me finesë prej fisniku, pasuri prej gjuhëtari, dhembshuri prej murgu, mençuri prej filozofi dhe elegancë prej poeti. Do t’i kishte mjaftuar veç “Andrra e jetës” për ta përligjur si poet me një estetikë të përsosur dhe veçanti të papërsëritshme. Në përpjekjen tonë për të afruar brezin e ri me librin, për të rizgjuar dhe rizbuluar kënaqësinë e të lexuarit, na ndihmojnë pikërisht poetë si Mjeda, ku domosdoshmëria e mesazhit dhe thellësia e mendimit rrëshqet ëmbël përmes estetikës së fjalës.
Në dëshirën për nxitjen e leximit dhe kthimin e vëmendjes te libri tek brezi i ri na nevojitët misionarë idealistë, shërbestarë të dijes dhe kulturës, që mund të bëhen shembuj frymëzimi: sepse ndryshimi fillon nga motivimi, fillon nga dëshira, fillon nga shpirti për t’u përpunuar më pas në mendje e për t’u kthyer në program.
Këtë gjë e ka ditur dhe e ka praktikuar shumë herët Mjeda, që në ushtrimin e detyrës si famullitar edukator, që gjatë përpjekjes për t’u mësuar fëmijëve gjuhën shqipe përmes hartimit të një vargu librash ku dija përcillej përmes bukurisë dhe elegancës së poezisë. Kemi nevojë për figura të tilla modele të përkushtimit që arrijnë të përçojnë mesazhe të rëndësishme, që ia dalin peshën e rëndë të dijes ta përcjellin lehtësisht me dashuri. Të tillë na nevojitet sot mësuesit, krijuesit, njerëzit e letrave në përgjithësi, me një vetëdije për të frymëzuar dhe tërhequr lexuesin tek libri dhe leximi. Se për të shijuar autorët e traditës, për t’i rivlerësuar dhe lexuar ndryshe na duhet së pari të edukojmë lexuesin e ri. Dhe kjo detyrë nuk bëhet veç me një fushatë, qoftë një muaj apo një vit. Bëhet çdo ditë, kudo, prej gjithë protagonistëve të dijes. Ndaj Mjedën sot e kujtojmë jo vetëm si poet të rrallë, por për më tepër dhe si misionar, si model të njeriut të përkushtuar dhe të vetëdijshëm për të zgjuar te ndjekësit e tij dashurinë për dijen, dashurinë për të bukurën, dashurinë për jetën.
Do të mjaftonin këto dy strofa për ta ndjerë si muzikë këtë dashuri për jetën:

Nper ograjë po kënojnë bylbylat
Si tu’ u prrallë me shoqi shojnë ;
Drandofilleve zymylat
T’ kandshmen erë dhuntí ju çojnë,
E nalt n’ qiell mâ e bukur hâna
Rreze t’ paqta shkon tui shkrî ;
Maje bjeshkve fillon Zâna
N’ valle shoqeve m’ u prî.