Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në Takimin Rajonal Ballkanik të Zyrave të Programit Media të Evropës Krijuese - Ministria e Kulturës
Postuar më: 03/10/2017

Fjala e Ministres së Kulturës, znj. Mirela Kumbaro në Takimin Rajonal Ballkanik të Zyrave të Programit Media të Evropës Krijuese

“Creative Europe” na tingëllonte thjesht si aleancë e bukur fjalësh, si sot 4 vjet më parë, kur filluan të qarkullonin emaile dhe shkresa që i njoftonin Shqipërisë mundësinë për t’u bërë pjesë e këtij rrjeti të madh kulturor.

Që të jem e sinqertë, nuk e shihnim shumë qartë se si dhe sa do të kishte mundësinë të përfitonte skena artistike dhe filmike shqiptare nga ky rrjetëzim i madh ku për të fituar nuk mjafton vetëm dëshira për ta bërë “Shqipërinë si gjithë Europa”, por duhet dhe dija, dhe aftësia për të përkthyer idetë në projekte dinjitoze dhe të gatshme për të garuar.

Ishte një ogur shumë i mirë, që ish Presidenti i Komisionit Europian Emmanuel Barroso, përuroi me Shqipërinë statusin e vendit kandidat për në BE, duke zgjedhur “Marrëveshjen me Shqipërinë për Europën Krijuese”, si kurorëzim të këtij statusi.

A thua ai konfirmoi kështu thënien tashmë proverbiale të Jean Monet, një nga baballarët themelues të Bashkimit Europian, që na i la për testament, “Sikur ta bëja Europën nga e para do ta nisja nga Kultura”.

Shipëria u bë kështu pjesë e të dy programeve edhe të Kulturës edhe të Medias.

Mikpritësi i këtij takimi, Media Desk Albania, ose ndryshe Sporteli Shqiptar i programit të Medias, është pa frikë një histori suksesi, për çka padyshim dua të falenderoj Arben Papadhopullin që e mban zgjuar këtë dritare, koordinatoren kombëtare të Europës Krijuese Elira Kokona që me ekonomi e vision ka orientuar programin e Europës Krijuese si dhe drejtorin e QKK Ilir Butka që ka ditur aq mirë të ndërthurë burimet shqiptare me rrjetin Europian në favor të filmit dhe kineastëve shqiptarë por edhe të Ballkanit.

Sot në 20 vjetorin e Qendrës Kombëtare të Kinemasë duhet të jemi krenarë që takimi i të gjithë aktorëve rajonalë të Kinemasë zhvillohet në Tiranë ku ju presim më zemër të hapur siç është e hapur Hapësira e Kulturës.

Nuk do të flas as në emër të Drejtuesit të Media Desk Albania, Arben Papadhopulli, dhe as në emër të Drejtorit të Qendrës Kombëtare të Kinemasë Ilir Butka, të cilët e meritojnë t’i bëjnë vetë bilancet.

Por padyshim, nëse nga Europa Krijuese, artistët shqiptarë kanë arritur të ngrenë përmes projekteve të ndryshmë rreth 700.000 mijë euro, ata duhen përgëzuar shumë fort.

Nëse ne gjetëm derën ku duhet trokitur për të hyrë në Europën e Kulturës ata kanë gjetur çelësat për të hyrë brenda saj si europiane të vertetë, me të vetmen pasaportë, atë të Kulturës që nuk ta jep kush. Ajo fitohet me punë e talent.

E vërtetë që unë po flas shqip e po kalojmë me përkthim për shkak edhe të publikut e medias shqiptare që na ndjek, por ne të gjithë ndjehemi shumë mirë që flasim të gjithë një gjuhë: të Artit dhe të Kulturës.

Mirëseerdhët në Shqipëri, Mirëseerdhët në Tiranë.

Një këshillë kam për ju: Mos rrini gjithë kohën këtu brenda, se Tirana është plot qoshe të bukura e ngjarje kulturore, është si një skenë e madhe ku ndodhin shumë gjëra.

The last but not the least, mos lini pa provuar kuzhinen shqiptare!

Për ata që e kanë Shqipërinë për herë të parë, më besoni s’ka për të qenë e fundit!

Enjoy it Albania and the Cinema!”