Sot me rastin e Ditës së Pronësisë Intelektuale, Ministria e Kulturës organizon dhe është pjesëmarrëse në një sërë eventesh që kanë për qëllim të sensibilizojnë mbi mbrojtjen e të Drejtave të Autorit. Nën sloganin e përbashkët “Krijimtaria është pasuria ime. Ligji ma mbron” sot nisëm:
Agjencitë e Adminstrimit Kolektiv( AMP, ALBAUTOR, AKDIE, FMAA) mundësuan prodhimin e një spoti audiovisual me pjesëmarrjen e krijuesve dhe artisteve për sensibilizimin e publikut mbi rëndësinë dhe respektimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të tjera të lidhura me to. Agjencitë gjithashtu mbështetën dhe financuan prodhimin e materialeve promocionale të cilat u shpërndanë në aktivitetet e ditës së sotme.
Në këtë spot televiziv theksohet se:
“Ligji i ri i të Drejtës së Autorit mbron KRIJUESIN. E drejta e tij është garanci për krijimtari artistike.
Të gjithë bashkë të sigurojmë sot të ardhmen e muzikës, filmit, librit. Njihu me të Drejtat e Autorit dhe mendo për artistin sa herë ia përdor veprën”
Ministria e Kulturës ka hartuar ligjin nr. 35/2016 – “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë më 31 Mars 2016, i cili sjell këto risi:
• Subjektet përdorues tashmë do të paguajnë një tarifë të vetme tek Sporteli unik, duke i sherbyer formalizimit të tregut intelektual.
• Mundësi të reja përfitimi për autorët dhe fushë e zgjeruar e përdorimit të veprave për interesin publik.
• Përafrimi i plotë me direktivat e BE-së, zbatimi i praktikave më të mira evropiane në territorin shqiptar.
• Tarifa transparente, konkuruese për subjektet, jo arbitrare, çka ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në formalizimin e tregut.
• Barra e provës, risi për zgjidhjen e konflikteve në rastet e cënimit të të drejtave të autorit.
• Orientime të thjeshta e të qarta për organin procedues, gjykatën dhe zgjidhjen e problematikave në lidhje me masat paraprake, sigurimin e provave dhe zgjidhjen efikase të rasteve gjyqësore.
• Instrumente të qarta për shkeljet në Internet në kohë të shpejtë.
• Ndëshkim i gjithanshëm për këdo që shkel këtë ligj.
• Krijimi i Drejtorisë së të Drejtës së Autorit (DDA), një drejtori e dedikuar edukimi dhe politikash, shumë më efiçente në bashkëpunimin e saj me inspektoratin, organet e tjera dhe publikun, në rastet e cënimit të të drejtave.
• Këshilli Kombëtar i të Drejtës së Autorit, organ i ri i specializuar për vendosjen e tarifave të shpërblimit. I jep fund konfliktit permanent mes subjekteve përdorues dhe autorëve apo agjencive.
• Skema të reja përfituese për botuesit dhe autorët për riprodhimin personal dhe vetjak.
• Skemat e reja të përfitimit nga importimi i makinerive dhe pajisjeve të tjera, ku fiksohet vepra, si dhe shpërndarjes dhe riprodhimit të autorizuar.
• Nxitja e tregut për krijimin e agjencive të reja për administrimin kolektiv të të drejtave, sipas nenit 131 të këtij ligji.
• Transparencë e shtuar në jetën e agjencive gjatë shfrytëzimit të licencës së dhënë nga MK.
• Kontrata të reja të parashikuara në këtë ligj, me parashikime të qarta në mbrojtje të interesave legjitime të palës më vulnerabël në marrëdhënien kontraktore. Konkretisht kontrata e botimit vjen e qartë në këtë ligj.
• Marrëdhënie të qarta midis autorit dhe punëdhënësit për veprat e krijuara gjate marrëdhënies së punës.
E drejta e autorit, si pjesë e qenësishme e kulturës dhe e trashëgimisë sonë kombëtare, është dhe do të jetë në fokusin e Qeverisë Shqiptare dhe të Ministrisë së Kulturës, për të përmbushur misionin dhe objektivin e saj, si në plotësimin e angazhimeve që rrjedhin nga MSA-ja ashtu edhe interesat legjitimë të krijuesve dhe tregut intelektual shqiptar.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.