Konkurs për realizimin e Logos së Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2020 - Ministria e Kulturës
Postuar më: 30/07/2019

Konkurs për realizimin e Logos së Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2020

SHPALLJE KONKURSI

 

Ministria e Kulturës, në kuadër të organizimit të Festivali Folklorik Kombëtar, i cili do të zhvillohet në qytetin e Gjirokastrës në vitin 2020, shpall:

Konkursin për realizimin e Logos së Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2020

 

Kriteret e organizimit të  Konkursit të Logos së Festivalit Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2020

  1. Përshkrim i përgjithshëm i festivalit

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është një festival artistik që zhvillohet çdo pesë vjet në Kalanë e qytetit të Gjirokastrës, Qendrën Historike dhe ambjentet e tjera të këtij qyteti. Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës është veprimtaria më e rëndësishme në fushën e trashëgimisë kulturore jomateriale shqiptare. Festivali u zhvillua së pari në vitin 1968 dhe konsiderohet si ngjarja më e rëndësishme në kulturën shqiptare. Festivali shfaq muzikë tradicionale shqiptare, veshje dhe valle nga Shqipëria, diaspora dhe tokat e banuara shqiptare në të gjithë Ballkanin dhe Italinë Jugore.

  1. Qëllimi i festivalit

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës, ka për qëllim ruajtjen, mbrojtjen dhe promovimin e vlerave më të mira të trashëgimisë sonë kulturore jomateriale, të vlerave etnomuzikore, etnokoreografike, etnografike, (të kostumeve popullore, veglave muzikore, ritet dhe zejet, etj.) të krijuara prej shekujsh nga populli shqiptar të ndërthurura me vlerat e trashëgimisë kulturore materiale që ndodhen në qytetin dhe Qarkun e Gjirokastrës. FFKGJ synon gjallërimin e jetës kulturore të vendit në përgjithësi dhe të qytetit të Gjirokastrës dhe zonave rreth tij në veçanti. FFK i Gjirokastrës përcjell në publikun e gjerë kulturën popullore që ruhet dhe zhvillohet në hapësirat mbarëkombëtare shqiptare. FFK evidenton vlerat e qytetit të Gjirokastrës, “Pasuri kulturore e njerëzimit” mbrojtur nga UNESCO, në kuadër të nxitjes së turizmit kulturor, dhe shtimin e vizitorëve vendas dhe të huaj në monumentet e trashëgimisë sonë kulturore duke e kthyer qytetin e Gjirokastrës në një destinacion të rëndësishëm të turizmit kulturor në rajon.

  1. Përse zhvillohet konkursi

Qëllimi i konkursit është të zgjedhë dizajnin e logos më të mirë me të cilën do të prezantohet festivali i këtij viti. Nisur nga vlerat e mirëfillta artistike të veprës “Shqipëria vallëzon”, e autorit Abdurrahim Buza, dhe për historikun e saj, e cila ka qenë pjesë e traditës  përfaqësuese së imazhit të këtij festivali në vite, (1978-1988 dhe 2015), është në nderin e Ministrisë së Kulturës dhe gjithë publikut mbarëshqiptar që edhe për vitin 2020, përdorimi i imazhit të kësaj vepre, të jetë pjesë e Logo-s identifikuese të këtij festivali, i parë në një këndvështrim stilistik ndryshe.

  1. Pjesëmarrja në konkurs

Konkursi është kombëtar dhe i hapur për të gjithë të interesuarit.

Çdo pjesëmarrje në konkurs pranon automatikisht të gjitha kriteret e shpallura zyrtarisht nga Ministria e Kulturës.

  1. Realizimi i Logo-s

Logo, veç imazhit figurativ të stilizuar, duhet të kompozohet edhe me shkrimin “Festivali Folklorik Kombëtar, Gjirokastër 2020” i cili duhet të jetë në harmoni stilistike me të.

Logo duhet të paraqitet në sfond të bardhë, të zi dhe me ngjyrë, si dhe të dorëzohet në formatet:

  • Eps
  • Pdf
  • Jpg
  • Png

Duhet të paraqiten shembuj të përdorimit të logos në materiale mediatike dhe promocionale, të tilla si skenografia, gazeta, posteri, ftesa, spoti televiziv, çertifikata, diploma, medaljoni, etj.

  1. Afati i dorëzimit të propozimeve

Konkursi është i hapur që nga data 30.07.2019 dhe fton të gjithë të interesuarit që të dorëzojnë propozimet e tyre. Afati i fundit për të dorëzuar propozimet është data 15.09.2019.

Kandidatët duhet t’i paraqesin punimet në adresën e e-mail: [email protected]

  1. Vlerësimi i fituesit

Fituesi i konkursit përcaktohet nga Kolegjiumi i ngritur për këtë qëllim në Ministrinë e Kulturës dhe do të njoftohet brenda 8 ditësh nga mbyllja e afatit të dorëzimit.

Fituesi do të vlerësohet me çmimin prej 100.000 lekë.

 

Konursi është mbyllur!

Fitues shpallet Z. Klejdi Domi

Imazhi i logos do të publikohet në ceremoninë e lançimit të Festivalit.

 

Bashkëlidhur imazhi i veprës “Shqipëria vallëzon”, e autorit Abdurrahim Buza.