“Kënga ishte gjëja që mund të bëja më mirë se gjithçka tjetër!”
kish thënë Vaçja në ato pak herë që foli pasi doli nga skena vetë, por ku zërin na e la të fortë e të ëmbël
Po aq i natyrshëm sa dhe gjuha e nënës më është dukur zëri i Vaçe Zelës që unë e gjeta në këtë qytet kur linda në të.
Ajri i rrugëve të Tiranës nuk mund të përfytyrohej pa këngët e saj.
E dekori i festivaleve të këngës s’kishte kuptim pa dallgët e flokëve të Vaçes që zor se u rezistonte kush.
Ndërkaq zëri e flokët e Vaçes kapërcyen të gjitha kohërat, na dhanë dritë kur shihnim errët dhe na ngjallën shpirtin kur na vdiste vështrimi.
Nuk besoj se jam e vetmja kur them se emri i pazakontë i saj ishte një sinonim i pandryshueshëm i talentit të rrallë dhe i shpirtit të lirë që s’mund të quhej ndryshe përveç se Vaçe Zela.
Që ajo s’është më sot, edhe kjo është pjesë e natyrshmërisë sepse e tillë është jeta.
Por askush nga ne nuk do të kujtohet për ikjen fizike të Vaçes
sepse aq shumë është i pranishëm arti i saj,
sepse ne nuk e mendojmë dot muzikën shqiptare pa këngët e Vaçes,
sepse ne nuk e mendojmë dot skenën e këngës pa buzëqeshjen bujare të Vaçes.
Vaçe Zela ishte e vetmja artiste, e theksoj, e vetmja artiste që i ka bërë bashkë gjithë zemrat dhe mendjet shqiptare.
Nuk mund të ketë trashëgimi shpirtërore pa Vaçen brenda.
Nuk mund të ketë lumturi pa valsin e Vaçes.
Prandaj Vaçja nuk ikën.
Valsi i saj është sot requiem i mosvdekjes.
Vaçe e dashur,
unë të kam parë, ndjekur, dëgjuar, kënduar me vete,
por s’e pata kurrë fatin të të afrohem.
Sot je këtu, afër, dhe unë ndjej mall.
siç dhe ti vetë ke thënë:
Sa mall kemi, s’ka deti valë
Ne, Vaçe, të duam !
por ti vetë e ke thënë:
Dashuria është si kënga
dhe do ajo sot gjithë botën
në krah ta pushtojë
Prandaj po të lë Vaçe, të na pushtosh, siç na ke bërë gjithmonë,
që atje lart te yjet,
prej ku do të vazhdosh të na shohësh duke na pushtuar.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.