Më lejoni që të shpreh kënaqësinë e të mbledhurit këtu sot, për kineastin dhe njeriun, Piro Milkani.
Një nga ata artistë, që ndërrimi i sistemeve politike, nuk do ta lëkundte në sistemin e vlerave,
një intelektual i vërtetë dhe nga ata njerëz, që im gjysh do t’i thoshte “burrë zotëri”.
Pas nderimit në Pragë me një çmim prestigjioz, me të cilin u vlerësuan edhe 14 personalitete të tjerë nga e gjithë bota, e ndjemë si detyrim, që këtij çmimi t’i jepnim jehonë edhe në vendin tonë.
Sigurisht, që vlerësimet janë individuale, por nuk ka sesi të mos bëhemi pjesë e këtij kremtimi dhe të ndihemi, pse jo krenarë, që nga ky vend i vogël, kanë dalë njerëz të mëdhenj.
“Falënderim njeriut të zotë”, lexohet në vlerësimin që Praga i bën regjisorit shqiptar, dhe mendoj se fjala “i zotë” e përmbledh më së miri korpusin krijues të kineastit model,
që ka ditur, jo thjesht të mbijetojë, por të bëjë art në një kohë, kur censura dhe ideologjia ta kufizonte një gjë të tillë;
Që ka ditur ta bëjë shikuesin të përjetojë emocione të forta;
Që ka ditur të na bëjë të qeshim pa fund me “Zonjën nga qyteti”, të përjetojmë dramacitetin e “Ballë për ballë” apo të pështjellohemi nga “Trishtimi i Zonjës Shnajder”.
Zoti Milkani, ju falënderoj që na bëtë pjesë të festës suaj!
Prej kohësh ju keni luajtur rolin e një ambasadori të kulturës shqiptare, në botë, por na lejoni që ta shprehim mirënjohjen tonë, përmes këtij kujtimi nga ana e Ministrisë së Kulturës!
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.