» Ndryshimi i Kodit Penal, gjobë deri në burg për shkelësit e së drejtës së autorit
Postuar më: 09/05/2019

Ndryshimi i Kodit Penal, gjobë deri në burg për shkelësit e së drejtës së autorit

Ministrja Margariti ka zhvilluar një takim me kineastë, botues, aktorë, muzikantë, etj., për përfshirjen në Kodin Penal edhe të  një neni për shkeljen e të drejtave të autorit. Në panel ishin edhe kreu i QKK-së, Eduart Makri, Ledina Beqiraj, Drejtoreshë e Drejtorisë së Përgjithshme Rregullatore dhe Përputhshmërisë për Kulturën. Sipas ministres Margariti, me gjithë përmirësimet në Ligjin Për të Drejtat e Autorit dhe strukturave të ngritura për këtë qëllim, ndihet nevoja për ashpërsimin e masave ndaj abuzuesve me krijimtarinë artistike e intelektuale. Për këtë qëllim, Margariti propozon që në Kodin Penal, të shtohet neni 148/a me titull “Shkelja e të drejtave të autorit”, sipas të cilit “Shpërndarja, komunikimi në publik, shitja, ofrimi për shitje, furnizimi, eksportimi ose importimi për qëllime të tërthorta apo të drejtpërdrejtë përfitimi i veprës së mbrojtur nga e drejta e autorit pa pëlqimin e autorit ose mbajtësit të së drejtës përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet. Po kjo vepër kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”. Të pranishmit shprehën qëndrimet e tyre, ofruan ide dhe shtruan problemet, që i shqetësojnë.