“Orfeo e Euridice” është opera e parë premierë për vitin 2014 në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Historia ngazëlluese e heroit legjendar grek, i cili hyn në botën e nëndheshme për të shpëtuar dashurinë e tij do të shfaqet në skenën e TKOB-së për publikun e kryeqytetit në datat 23, 25, 27, 29 prill, ora 19:00.
Kompozuar nga Gluck, konsiderohet një vepër e rëndësishme e muzikës operistike, si një nga operat më të rëndësishme të shekullit XVIII-të. Kjo vepër solli një lëvizje nga stili barok në atë klasik, pasi përqëndrohet më shumë në veprimin dramatik se sa në mënyrën virtuoze dhe ornamentale të të kënduarit.
Me një libret të shkruar mjeshtërisht, me muzikë të jashtëzakonshme, pasazhe ndjellëse koristike, balete imagjinare, duete dramatike dhe vuajtjen e heroit Orfeo, opera përcjell një mesazh të pacënueshëm nga koha, fuqinë e dashurisë për të triumfuar mbi gjithçka .
Kjo vepër operistike mendohet se ndryshoi mënyrën e tregimit të muzikës.
Opera “Orfeo e Euridice” është një opera me tri akte, me libret të Ranieri de’ Calzabigi. Muzika e mrekullueshme është kompozuar nga Christoph Willibald Gluck.
Në premierën e parë të operas orkestra do të interpretojë në bagetën e dirigjentes Margherita Colombo, dirigjent i korit Dritan Lumshi, regjisor Nikolin Gurakuqi, koreograf Artan Ibërshimi .
Interpretojnë: Dorela Çela, Eriona Gjyzeli, Enkelejda Kamani, Sonila Baboçi, Ivana Hoxha, Dorina Selimaj, Rezarta Qevani, me pjesëmarrjen e trupës së baletit dhe orkestrës së TKOB-së.
Opera do të interpretohet në gjuhën italiane.
Vepra u kompozua në 1762 në Vienë. Shfaqja e parë premierë u realizua në 5 tetor 1762 në Teatrin “Burg Theater” në Vienë. U rishfaq në Paris në vitin 1774.
Legjenda greke e Orfeu ka frymëzuar opera të kompozitorëve të shumtë, duke përfshirë operën “Orfeu” i Monteverdi-t dhe operetën “Orfeu në Botën e nëndheshme” të Offenbach-ut.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.