Në festivalin e filmit TIFF 2015 shfaqet premiera e fimit të shkurtër “Frymë” , me skenar dhe regji nga Artur Gorishti. “Frymë”është një ftesë e hapur për të reflektuar qoftë edhe për një çast momentet kulmore në jetët e gjithsecilit, apo kthesat vendimtare që ndryshojnë fatet tona. Aty ku koshienca njeh kompromisin, aty ku pafajësia duhet ti lerë vendin luftës për mbijetesë. Bazuar në tregimin “Peshkimi i parë” nga libri “Dyert” i të njëjtit autor, filmi është një krijim që rrëfen fijen e hollë që ndan fenomenet e jetës, dritën nga errësira, jetën nga vdekja. Brishtësia e kufirit rrëfehet përmes kameras së Latif Hasollit. Aty ku mbaron njëri nga fenomenet e jetës, fillon tjetri, aty në atë “boshllëk” regtin e pulson jeta, me të kundërtat dhe frikërat e saj, që i japin thellësi e kuptim. Ngjarja zhvillohet në 30 minuta, parë me sytë e një djali 5- 6 vjeçar, interpretuar nga Andi Shaska. Autori heq paralele mes jetës dhe leksioneve të para të peshkimit, ku fëmijës i duhet të përballet me të panjohurat , kompromiset , në rrugën e rritjes si karakter dhe personalitet. I joshur nga peshkimi , djali mezi pret që i ati ti japë leksionin e pare, që do të ngre shumë pikëpyetje dhe do të bëhet shkak i leksioneve të rëndësishme për jetën e djaloshit. Në këtë film mungon figura femërore, por në të njëjtën kohë vetë jeta e mbështjell djalin si një embrion duke e përgatitur për zgjidhjet e jetës . Paralelet që rrëfen filmi sjellin qasjen e autorit mbi jetën dhe reflektimet mbi zgjedhjet për të mbijetuar. “Frymë” është filmi i parë i Artur Gorishtit si regjisor, pjesë e triologjisë, që autori ka në proces krijimi.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.