Projektligj për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9616 datë 27.09.2006 “Për librin në Republikën e Shqipërisë”

Në kuadër të përmirësimit të legjislacionit në fushën e librit, si dhe duke marrë shkas nga rënia e theksuar e interesit për librin dhe nevoja për nxitjen e kulturës së leximit, Ministria e Kulturës ju paraqet për konsultim publik draftin paraprak të ndryshimeve në ligjin nr. 9616, datë 27.9.2006 “Për librin në Republikën e Shqipërisë”.
Ndryshimet e ligjit në fjalë synojnë të ndryshojnë situatën në vend lidhur me librin dhe leximin, krijimin e kushteve për rritjen e kapaciteteve financiare dhe shtimin e burimeve njerëzore në dispozicion për fushën e librit, përmirësimin e klimës së botimeve në vend, lehtësimin e librit si produkt intelektual nga tatimi mbi vlerën e shtuar, si dhe ofrimi i mundësive dhe shanseve të
barabarta për të gjithë komunitetin e botuesve, shkrimtarëve, përkthyesve dhe studiuesve.
Lehtësimi nga numri i ekzemplarëve të kopjeve të detyruara që dorëzohen në Bibliotekën Kombëtare dhe bibliotekat vendore, është një tjetër hap që ka për qëllim të reformojë dhe
lehtësojë marrëdhënien ndërmjet botuesve dhe institucioneve të ruajtjes së kujtesës në vend, duke iu përgjigjur në këtë mënyrë standardeve bashkëkohore.
Gjithashtu, në draftin e paraqitur shprehet vullneti për të lehtësuar Bibliotekën Kombëtare dhe rrjetin e bibliotekave publike në Shqipëri nga procedura e prokurimit, në ato raste kur bëhet fjalë për blerjen e librave dhe materialeve të një rëndësie të veçantë që hyjnë në kategorinë e fondeve
të rralla.
Projektligji është përgatitur nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës në bashkëpunim me grupet e interesit në fushën e librit.
Duke vlerësuar të domosdoshëm kontributin e të gjithë aktorëve të fushës, Ministria e Kulturës vë në dispozicion draftin e propozuar për të siguruar në këtë mënyrë një proces transparent dhe gjithëpërfshirës deri në draftin përfundimtar që do të miratohet.
Ky draft është hapi i parë në procesin e hartimit të ndryshimeve përfundimtare në ligjin aktual, ndaj jeni të mirëpritur me komente dhe sugjerime, duke komunikuar së bashku në adresën e mëposhtme:
[email protected]
[email protected]