» Qendër Kombëtare për Digjitalizimin e Trashëgimisë Kulturore
Postuar më: 24/04/2019

Qendër Kombëtare për Digjitalizimin e Trashëgimisë Kulturore

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti nënshkroi sot Memorandumin e Mirëkuptimit me  Kryetarin e Bordit e Fondacionit Albanian American Development Found, Z. Michael Granoff: Për ngritjen e Qendrës Kombëtare për Digjitalizimin e Trashëgimisë Kulturore.

Kjo Njësi është pjesë përbërëse e Qendrës Rajonale të Restaurimit dhe Konservimit të Evropës Juglindore, strukturë e Institutit të Monumenteve të Kulturës, në varësi të Ministrisë së Kulturës. Ngritja e saj është në vazhdën e projektit “Të fuqizojmë muzetë nëpërmjet teknologjisë, për një qasje më të gjerë për të gjithë”, të miratuar nga Bordi i AADF.

Duke besuar fort në rëndësinë e teknologjisë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore, ministrja Margariti, u shpreh se procesi i digjitalizimit të trashëgimisëështë një sfidë e Ministrisë së Kulturës. Nga ana e tij, Z. Granoff shpreh kënaqësinë për hedhjen e hapave konkrete në këtë drejtim.

Dy vjet më parë, AADF dhe Ministria e Kulturës nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për zhvillimin dhe përmirësimin nëpërmjet teknologjisë, të dy muzeve kombëtarë, të dedikuar artit mesjetar dhe ikonografisë, përkatësisht Muzeut Kombëtar të Ikonografisë ONUFRI në Berat dhe Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë. Projekti shtrihet në tri faza, të vlerësimit të koleksioneve muzeale, digjitalizimit të tyre dhe implementimit të teknologjisë interaktive në muze.

Në përfundim të fazës së parë, që konsistonte në vlerësimin e koleksioneve të dy muzeve të sipërpërmendur dhe trajnimin e stafit të tyre për përdorimin e metodave të fotografimit RTI dhe 3D, vijon ajo e dyta për digjitalizimin e koleksioneve muzeale me teknologji të përparuar, në funksion të ruajtjes, promovimit dhe aksesit më të gjerë të publikut në to.

Përmes kësaj marrëveshjeje, palët synojnë ngritjen e një zyre për digjitalizimin e koleksioneve muzeale dhe trashëgimisë kulturore, me hapësirë të dedikuar, pajisje teknologjike të standardeve të larta dhe personel të kualifikuar.