» Rimontohet fasada monumentale e Stadiumit “Qemal Stafa”. Ministrja Margariti viziton kantierin
Postuar më: 14/04/2019

Rimontohet fasada monumentale e Stadiumit “Qemal Stafa”. Ministrja Margariti viziton kantierin

“Një objekt i ri me histori të vjetër”, ky është Stadiumi “Qemal Stafa”, i cili tanimë po merr formën  e tij përfundimtare. Struktura moderne ka përqafuar elementët e trashëgimisë. Fasada historike, e gurtë, tanimë është rikthyer në vendin e saj, madje ashtu si arkitekti Gherardo Bosio e kishte menduar që në krye të herës. Specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës kanë vendosur në vendin e tyre çdo pllakë, duke i pastruar me kujdes. Sot, Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e shoqëruar nga drejtorja e IMK, Arta Dollani e të tjerë specialist, vizituan kantierin e punimeve. I pranishëm ishte edhe arkitekti Marco Casamonti, i cili shpjegoi të gjithë procesin e punës, që nga çmontimi, tek rimontimi i fasadës. Këtij inspektimi iu bashkua edhe një grup studentësh të arkitekturës nga Universiteti i Genovas. “Është ndjekur në mënyrë skrupuloze protokolli i restaurimit”, thotë Casamonti. Sipas Casamonti-t, por edhe specialistëve të IMK-së, një nga fazat më të rëndësishme ka qenë ajo e rilevimit. “Me ndihmën e laser skanerit u bë e mundur të zbulohej gjeometria e saktë e çdo elementi individual që përbënte  fasadën. Nga punimet grafike që rezultuan nga laser skaneri, çdo elementi u lidh me një kod alfanumerik, që tregon gjeoreferencat e saj në mënyrë për të lehtësuar fazat e çmontimit, ruajtjes, dhe rimontimit të fasadës”. Synimi ka qenë që fasada monumentale të vendoset në vendin e saj të mëparshëm, duke ruajtur materialet dhe rifiniturat origjinale, madje duke e pastruar nga shtesat e panevojshme, që kësaj copëze historie iu shtuan me kalimin e viteve. Pavarësisht integrimit në një ndërtesë të re, pamja, sapo ngjit shkallët ballore, është po ajo. Përpara të shtrihet Sheshi “Italia”, kolonadat e ndërtesa e Universitetit të Arteve. “Nuk do të ketë më parkime përpara stadiumit, publiku do të përshkojë me këmbë sheshin, ashtu si e kishte parashikuar Bosio 80 vjet më parë”, thotë Casamonti, duke shtuar se ky stadium do të jetë arena, jo vetëm e kryeqytetit, por e gjithë Shqipërisë, ku nuk do të luhet vetëm futboll, por mund të organizohen edhe aktivitete të tjera, si koncerte, etj. Për ministren Margariti, është shumë e rëndësishme ruajtja e kësaj pjese historike të qytetit, me një domethënie të veçantë jo vetëm për sportdashësit, por edhe në kontekstin e një aksi monumental. Kjo është edhe arsyeja pse disa prej specialistëve më të mirë të IMK u angazhuan për muaj me radhë, për ruajtjen dhe restaurimin e pjesës historike të stadiumit.

Ndërtimi i stadiumit, projektuar nga Gherardo Bosio nisi në vitet 1939-1940. Punimet zgjatën tre vjet, për t’u ndërprerë në vitin 1943, me kapitullimin e Italisë fashiste. Pas Luftës së Dytë Botërore, 400 punëtorë dhe 150 vullnetarë përfunduan ndërtimin e stadiumit. Veshja e planifikuar prej mermeri, u realizua me gurë të bardhë në vend të tij. Stadiumi u emërtua “Qemal Stafa”. Përurimi u zhvillua kur ekipi i futbollit kombëtar Shqiptar ka luajtur në stadium, për herë të parë më 7 tetor 1946, gjatë organizimit të Kupës së Ballkanit. Gjatë viteve në stadium janë bërë disa ndërhyrje (1960, 1973, 1984) për shtimin e kapaciteteve, të hapësirave ndihmëse dhe përmirësimin e kushteve. Viteve të fundit objekti paraqitej në gjendje të degraduar, duke mos përmbushur standardet e nevojshme për aktivitetin që kryhej në të. Tanimë punimet për stadiumin e ri po ecin me ritme shumë të shpejta dhe brenda një periudhe të shkurtër shqiptarët do të kenë një stadium të ri, ku modernia e trashëgimia bashkëjetojnë natyrshëm.