Komedia “Jashte bie bore”, e vënë në skenë nga teatri i Preshevës u shfaq më 10 qershor në skenën e Teatrit Kombëtar në Tiranë.
Ministrja e Kulturës , Mirela Kumbaro ishte e pranishme në shfaqje, duke iu uruar mirëseardhjen artistëve të Preshevës.
Artdashësit kryeqytetas mirëpritën intepretimin e aktorëve nga Presheva, të cilët u shprehën se kjo shfaqje mund të shërbejë si një urë lidhëse më e fuqishme në aspektin kulturor.
Në shfaqjen me regji të Musa Isufit, interpretuan aktorët e Preshevës dhe Teatrit të Kumanovës, Gani Veseli, Ismail Kasumi , Gjelbërim Emini, Artan Ibishi, në një përpjekje të vështirë, për të mbajtur gjallë artin skenik në Luginën e Preshevës, ku mungon institucioni i teatrit.
Sipas regjisorit Musa Isufi, shfaqja përcjell mesazhin e bashkimit të dy individëve, dy vëllezërve, familjes por edhe të qyteteve, shteteve dhe ideve.
Për herë të parë trupa e Preshevës do të ngjitet në Teatrin Kombëtar me komedinë “JASHTË BIE BORË”, një komedi komike (groteske) që rrëfen për bashkëjetesën e detyruar të tre vëllezërve: Çiço, Enzo, Stefano. Protagonisti Çiço, në pamje të parë një vëzhgues sipërfaqësor dhe i paaftë për veten e tij. Autori ka ndërtuar një personazh , i cili me shumë mprehtësi sheh realitetin që e rrethon, një zgjidhës gjenial i situatave të vështira, një person tallës i retorikës dhe i hipokrizisë njerëzore, pra një hero ‘ndryshe’ nga heronjtë e të përditshmes njerëzore.
Vepër e autorit Vincenzo Saleme
Regjia: Musa Isufi
Skenografia: Xhemal Hasani
Kostumografia : Valon Arifi
Muzika: Burim Emini
Formulimi muzikor : Artan Ibishi
Në role aktorët: Gani Veseli, Ismail Kasumi, Gjelbrim Emini, Artan Ibishi
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.