Në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor dhe artistik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës, Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë në bashkëpunim me Galerinë Kombëtare të Kosovës në Prishtinë përuron ekspozitën retrospektivë të artistit Simon Shiroka, e cila do të hapet ditën e premte, më 19 shtator 2014, ora 19.00.
Ekspozita “Simon Shiroka – Retrospektivë” kurohet nga Z. Erzen Shkololli, drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës. Veprat e ekspozuara janë pjesë e koleksionit privat të Familjes Shiroka.
Artisti Simon Shiroka (1927-1994), i lindur në Prizren është mjeshtër i madh i artit të realizuar në teknikën e filigramit.
Akademiku Eqrem Basha shkruan se nga tradita popullore, Shiroka nuk mori vetëm mjeshtërinë e përpunimit të argjendit dhe materialeve të tjera fisnike, por edhe figuracionin, ornamentikën popullore, etnografinë, por edhe psikologjinë dhe besimin e njeriut tonë. Nuk është vetëm totemia, folklori, mistika dhe ornamentika e shpirtit të kësaj treve dhe këtij populli ajo që e dallon krijimtarinë e tij artistike, por edhe një shpirt i veçantë i artistit, që me dashuri dhe fanatizëm të pazakonshëm digjej dhe jetonte për të.
Ditën e premte më 19 shtator 2014, në ora 10.00, në Galerinë Kombëtare të Arteve do të zhvillohet konferenca për shtyp mbi ekspozitën.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur nga data 19 shtator- 5 tetor 2014.
© Ministria e Kulturës 2025 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.