Të paharruar! Përkujtimore në Letërsi & Muzikë - Ministria e Kulturës
Postuar më: 29/05/2019

Të paharruar! Përkujtimore në Letërsi & Muzikë

Të nderuar,

Teksa gjendemi sot këtu, vetiu pyesim veten:

A do të ndiheshim më mirë, nëse do të fshinim të shkuarën?

Për gati 50 vjet Shqipëria jetoi një histori deformimesh, fshehjesh, retushimesh, të pavërtetash, shoqëruar me një dëshirë për harresë.

Kur burgu-kamp i Spaçit reshti së qeni si i tillë, njerëzit nxituan ta shkatërrojnë, ta zhveshin, jo sepse ndokujt i hyri në punë gaveta e supës apo batanija e vjetër, por prej dëshirës për të zhbërë të shkuarën, të keqen që vërtitej brenda këtyre mureve, për të harruar..

Dhe sërish pyes, a u ndjemë më mirë?

Sot, të gjithë e kuptojmë, se shoqëria jonë ka nevojë më shumë se kurrë për dialog. Thellë, asgjë nuk është harruar dhe pesha e të pathënave dhe të pavërtetave, rrezikon të deformojë të ardhmen.

Ndaj, ne sot jemi këtu për të kujtuar dhe nderuar, jo vetëm tre emra, të cilët guxuan të sfidojnë regjimin, përmes fjalës së lirë dhe së vërtetës, por të gjithë ata burra e gra, që kaluan përmes këtij kalvari vuajtjeje, në burgjet dhe kampet e komunizmit.

Ne sot jemi këtu, jo për të ngritur mure, por hapësira dialogu; për t’i dhënë kuptim këtij vendi kujtese, i cili është i lidhur me të shkuarën, por më së shumti i flet së ardhmes;

që më shumë se prindërve, u përket bijve.

Por, çfarë duhet të bëjmë me vende të tilla?

Për të gjithë ata që e kanë jetuar, ky vend është ende një copë jete, një dhimbje e përhershme, e pashëruar, një varr i hapur,

Por pikërisht ne na takon që ta ruajmë dhe ta kthejmë në një nyjë lidhëse mes së shkuarës dhe së ardhmes;

Në një vend, ku përmes memories të ndërtohet një lidhje e re me brezat e rinj.

Shqipëria është e mbushur me dëshmi të së shkuarës jo shumë të largët, dhe vende si Spaçi nuk mundet dhe nuk duhet të jenë realitete të vjetra, të riprodhuara e të prekshme në detaj.

Askujt nuk do t’i vlente rindërtimi nga e para i kësaj godine, lustrimi dhe riprodhimi i artefakteve, më shumë se imagjinata e nginjur prej historive të rrëfyera dhe asaj velloje misteri, që mbart ky vend. Vlera, të cilat ne nuk duhet t’i zhbëjmë.

Vende si Spaçi e kanë të ruajtur memorien dhe kohën e tyre, jo thjesht në mure, por në njerëz, në fjalë;

Dhe ndër të vetmet gjëra që ka mbijetuar brenda këtyre mureve, të mbetur thuajse imagjinarë, që qëndron ende pezull në kohë, është FJALA.

Fjala, që u dha liri brenda qelive, tri burrave (Fadil Kokomani, Vangjel Lezho dhe Xhelal Koprencka), kujtimi i të cilëve na ka mbledhur këtu, 40 vjet më pas.