Tradicionalët e modernët e Shqipërisë e të Kosovës në një ekspozitë - Ministria e Kulturës
Postuar më: 21/11/2013

Tradicionalët e modernët e Shqipërisë e të Kosovës në një ekspozitë

Galeria e Ministrisë së Kulturës së Kosovës në Prishtinë sjell në ekspozitën e përbashkët të titulluar “Imazhi gjuhësor i piktorëve të hershëm tradicionalë në viset tona”, 24 vepra të hershme në pikturë, të artistëve të parë të shfaqur në fillimet e shek. XX, të cilët përfaqësojnë tradicionalen dhe modernizmin në të dy vendet tona: Kosovë dhe Shqipëri. Ekspozita është një nga përzgjedhjet e organizimit të veprimtarive të agjendës së vitit 2013 të Ministrisë së Kulturës së Kosovës. Organizimi i ekspozitës drejtohet nga znj. Dhurata Ramosaj, koordinatore e GMK-së. Kurimi i ekspozitës realizohet nga znj. Suzana Varvarica Kuka, studiuese arti ndërsa veprat janë pronë kombëtare e huazuar nga dy galeritë kombëtare të artit në Tiranë dhe në Prishtinë.

Tema e ekspozitës e njeh publikun me disa nga fillesat, me arritjet artistike, fizionominë e secilit piktor, me veçoritë dhe të përbashkëtat e krijimtarisë së hershme të artistëve shqiptarë, veprat e të cilëve kanë krijuar atmosferat, realiste ose jo të tilla, të shkollave shqiptare në artet pamore, këndej dhe andej kufirit shqiptar.

Nga fondi i veprave të pikturës dhe të gjinisë së portretit të Galerisë Kombëtare të Artit në Tiranë janë zgjedhur krijimtaritë e piktorëve si: Kolë Idromeno, Andrea Kushi, Zef Kolombi, Abdurrahim Buza, Androniqi Zengo Antoniu, Nexhmedin Zaimi, Kel Kodheli, Sofia Zengo Papadhimitri, Vladimir Jani dhe Foto Stamo.

Nga fondi i veprave të pikturës dhe të gjinisë së portretit të Galerisë Kombëtare të artit në Prishtinë janë zgjedhur krijimtaritë e piktorëve si: Ëngjëll Berisha, Vllado Radovic, Svetozar Kamenoviq, Nustret Salihamixhiqi, Agush Beqiri, Hilmija Qatoviq, Gjelosh Gjokaj, Muslim Mulliqi, Xhevdet Xhafa, Rrexhep Ferri, Tahir Emra dhe Kadrush Rama.

Ekspozita hapet me datë 21 nëntor 2013 në ora 19:00 dhe mbyllet me 18 dhjetor 2013 në Galerinë e Ministrisë së Kulturës së Kosovës, në Prishtinë.